Gjergj Mërkuri emërohet drejtor i Portit të Sarandës. Gjergj Mërkuri është emëruar në krye të Portit të Sarandës, duke marrë drejtimin e një prej institucioneve më të rëndësishme për transportin detar dhe turizmin në jug të vendit.
Mërkuri është një emër i njohur në jetën politike lokale. Në zgjedhjet vendore të vitit 2023 ai garoi si kandidat i pavarur për Bashkinë Sarandë, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ishte kandidat i Partisë Socialiste për deputet në qarkun Vlorë.
Emërimi i tij vjen në një periudhë kur Porti i Sarandës po përballet me një rritje të ndjeshme të fluksit turistik dhe të lundrimeve detare, duke e kthyer këtë infrastrukturë në një pikë strategjike për zhvillimin ekonomik të qytetit.
Deri më tani nuk ka një njoftim të detajuar mbi objektivat dhe prioritetet që drejtori i ri do të ndjekë në krye të institucionit, por emërimi i tij pritet të tërheqë vëmendje edhe për shkak të angazhimit të mëparshëm në politikë dhe pjesëmarrjes në dy procese zgjedhore të rëndësishme gjatë viteve të fundit. Saranda Web








