Goditet me sëpatë 45-vjeçari në Delvinë, Policia shoqëron autorin. Një 45-vjeçar është plagosur me sëpatë mesditën e sotme në Delvinë, pas një konflikti që, sipas informacioneve paraprake, dyshohet se lidhet me një përplasje të ndodhur gjashtë ditë më parë në Sarandë.
I plagosuri është transportuar për ndihmë mjekësore në spital dhe mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka shoqëruar personin e dyshuar si autor, ndërsa po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe dinamikën e ngjarjes.
Nga të dhënat e siguruara rezulton se konflikti i sotëm mund të ketë zanafillën më 14 gusht, në lagjen nr. 4 të Sarandës, në rrugën “Mitat Hoxha”. Atë ditë, 45-vjeçari që u plagos sot në Delvinë ishte përfshirë në një konflikt për motive që paraprakisht janë cilësuar banale, ku dy persona të tjerë ishin goditur me sende të forta dhe thikë.
Pas ngjarjes së 14 gushtit, palët ishin shoqëruar në Komisariatin e Policisë, ndërsa ndaj 45-vjeçarit ishte vendosur procedimi në gjendje të lirë. Personat e dëmtuar, pasi morën ndihmë mjekësore, ishin larguar nga spitali.
Ndryshe nga plagosja e sotme në Delvinë, për të cilën Policia ka shpërndarë komunikatë zyrtare për mediat, ngjarja e 14 gushtit në Sarandë kishte kaluar në heshtje dhe nuk ishte bërë publike përmes një njoftimi zyrtar të Policisë.
Gjashtë ditë më vonë, konflikti dyshohet se është rihapur në Delvinë. Sipas informacioneve paraprake, një familjar i personave të plagosur në ngjarjen e parë është përballur me 45-vjeçarin dhe mes tyre ka nisur fillimisht një konflikt që më pas ka degjeneruar në përleshje fizike.
Gjatë përplasjes dyshohet se janë përdorur edhe armë të ftohta, ndërsa 45-vjeçari ka mbetur i plagosur lehtë.
Ndërkohë, situata duket se ka sjellë tensione edhe mes familjarëve të palëve. Policia e Sarandës ka shoqëruar disa persona pas një konflikti verbal të regjistruar në lagjen nr. 4 të qytetit.
Grupi hetimor po punon për të përcaktuar përgjegjësitë e secilit person të përfshirë dhe për të zbardhur të plotë zinxhirin e ngjarjeve, nga konflikti i 14 gushtit në Sarandë deri te plagosja e sotme në Delvinë. Saranda Web








