E mërkurë, 25 Nëntor, 2026
spot_img

Saranda News – Lajmet e fundit nga Saranda

Home Delvina Parashikimi i motit, të premten në Sarandë mbi 100 litra shi për...

Parashikimi i motit, të premten në Sarandë mbi 100 litra shi për metër katror. Mbrojtja Civile ngre alarm

Parashikimi i motit, të premten në Sarandë mbi 100 litra shi për metër katror. Mbrojtja Civile ngre alarm. Mbrojtja Civile paralajmëron rrezikun e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dherave, ndërsa u kërkon bashkive marrjen e menjëhershme të masave parandaluese.

Saranda dhe rajoni jugor i vendit pritet të përballen me përkeqësim të ndjeshëm të kushteve atmosferike gjatë së enjtes dhe së premtes, 26 dhe 27 nëntor 2026, me reshje intensive shiu, shtrëngata dhe rrezik për përmbytje të lokalizuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, bazuar në buletinin e Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) dhe parashikimet e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, ka paralajmëruar se qarqet Vlorë dhe Gjirokastër do të jenë ndër zonat e ekspozuara ndaj reshjeve me intensitet të lartë deri lokalisht shumë të lartë.

Parashikimet meteorologjike për Sarandën tregojnë se reshjet pritet të intensifikohen nga mesdita dhe pasditja e së enjtes, duke vijuar me ndërprerje gjatë natës dhe përgjatë së premtes.

Sipas disa platformave meteorologjike ndërkombëtare të konsultuara nga Saranda Web, sasia e reshjeve gjatë së premtes mund të kalojë 100 litra ujë për metër katror.

Megjithëse modelet meteorologjike ndryshojnë në sasitë dhe oraret e reshjeve, ato përgjithësisht tregojnë një përkeqësim të konsiderueshëm të motit gjatë këtyre dy ditëve.

Paralajmërohet rreziku i përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dherave

Sipas paralajmërimit zyrtar të Mbrojtjes Civile, intensiteti i lartë i reshjeve mund të shkaktojë përmbytje të lokalizuara në zonat urbane, veçanërisht në zonat e ulëta dhe në ato ku sistemet e kanalizimeve dhe kullimit të ujërave kanë kapacitete të pamjaftueshme.

Ekziston gjithashtu rreziku i vërshimeve të shpejta të përrenjve malorë dhe rrëshqitjeve të dherave.

Paralajmërimi për qarkun e Vlorës përfshin edhe territorin e bashkive Sarandë, Delvinë, Finiq, Konispol dhe Himarë, ku kërkohet monitorim i vazhdueshëm i situatës.

Vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet rrugëve që përmbyten gjatë reshjeve, zonave bujqësore të ulëta, përrenjve dhe akseve rrugore të ekspozuara ndaj rrëshqitjeve të dherave.

Mbrojtja Civile kërkon masa urgjente nga bashkitë

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u ka kërkuar prefektëve të koordinojnë me bashkitë dhe strukturat përgjegjëse marrjen pa vonesë të një sërë masash:

  • Pastrimin e pusetave, kolektorëve dhe kanaleve kulluese.
  • Monitorimin e lumenjve, përrenjve dhe zonave me problematika të përsëritura nga përmbytjet.
  • Kontrollin e rrugëve, urave dhe infrastrukturës së rrezikuar.
  • Rritjen e gatishmërisë së zjarrfikësve dhe strukturave të emergjencave civile.
  • Kontrollin e pompave, mjeteve dhe pajisjeve për ndërhyrje emergjente.
  • Paralajmërimin në kohë të qytetarëve.
  • Kufizimin e qarkullimit dhe evakuimin e banorëve nëse konstatohet rrezik konkret.

Bashkitë duhet të raportojnë pa vonesë pranë prefekturës dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për problematikat, ndërhyrjet dhe pasojat e mundshme të motit të keq.

Moti i paqëndrueshëm pritet të shoqërojë Sarandën edhe gjatë së shtunës, më 28 nëntor, duke ndikuar potencialisht në zhvillimin e aktiviteteve festive në ambiente të hapura.

Gjatë së dielës pritet një dobësim i reshjeve, ndërsa përmirësimi më i ndjeshëm i kushteve atmosferike parashikohet të hënën, më 30 nëntor.

Parashikimi i reshjeve në Sarandë

🌧️ E enjte, 26 nëntor

Reshje: 12–48 mm

Temperaturat: 14–16°C

⛈️ E premte, 27 nëntor

Reshje: 81–108 mm

Temperaturat: 13–16°C

Rrezik për përmbytje të lokalizuara.

🌧️ E shtunë, 28 nëntor

Reshje: 36–52 mm

Temperaturat: 11–14°C

Thirrje qytetarëve për kujdes

Mbrojtja Civile u kërkon qytetarëve të shmangin kalimin në rrugët e përmbytura, afrimin pranë rrjedhave ujore dhe lëvizjen në zonat ku ekziston rreziku i rrëshqitjeve të dherave.

Në rast emergjence, qytetarët mund të telefonojnë në numrin 112.

Burimi: Saranda Web
Lexoni artikullin origjinal në SarandaWeb.net

Please follow and like us:
fb-share-icon
Wordpress Social Share Plugin powered by Ultimatelysocial