E mërkurë, 25 Nëntor, 2026
spot_img

Saranda News – Lajmet e fundit nga Saranda

Home Lajme Saranda News Aktualitet Nesër autobusët nisin punën në orën 08:00 në të gjithë vendin, kundërshtohet...

Nesër autobusët nisin punën në orën 08:00 në të gjithë vendin, kundërshtohet rritja e TVSH-së

Nesër autobusët nisin punën në orën 08:00 në të gjithë vendin, transportuesit kundërshtojnë rritjen e TVSH-së

Qytetarët që përdorin transportin publik do të përballen me mungesën e shërbimit në orët e para të mëngjesit të së enjtes, 26 nëntor. Shoqatat e transportit kanë vendosur që autobusët urbanë dhe ndërqytetës në të gjithë vendin të nisin punën në orën 08:00, në vend të orës 05:30.

Vendimi vjen në shenjë proteste ndaj rritjes së propozuar të TVSH-së nga 20% në 21%, në kuadër të paketës fiskale për vitin 2027, e cila pritet të votohet nesër në Kuvend së bashku me projektbuxhetin e shtetit.

Sipas operatorëve të transportit, rritja e TVSH-së do të shtojë kostot e shërbimit dhe do të sjellë shtrenjtimin e biletave të autobusëve, duke rënduar më tej buxhetin e familjeve shqiptare.

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban u kanë kërkuar institucioneve përgjegjëse të tërhiqen nga propozimi për rritjen e TVSH-së, me qëllim ruajtjen e çmimit aktual të biletave.

Ndërprerja e shërbimit deri në orën 08:00 do të prekë qytetarët që udhëtojnë në orët e para të mëngjesit drejt vendeve të punës, shkollave dhe destinacioneve të tjera. Vetëm në Tiranë, transportin publik e përdorin rreth 250 mijë qytetarë.

Përmes një deklarate të përbashkët, shoqatat kanë kërkuar mirëkuptimin e udhëtarëve për shqetësimin që do të krijohet, duke theksuar se qëllimi i kësaj proteste është të shmanget transferimi i barrës shtesë fiskale te qytetarët.

Sipas njoftimit të shoqatave, deri në orën 08:00 të së enjtes nuk do të ofrohet shërbimi i transportit publik në të gjithë vendin. Saranda Web

Burimi: Saranda Web
Lexoni artikullin origjinal në SarandaWeb.net

Please follow and like us:
fb-share-icon
Wordpress Social Share Plugin powered by Ultimatelysocial