Vritet Sel Çami pranë banesës në Fier, plagoset nipi. Policia bastis shtëpinë e Ben Qimes
Selami Hasani, 60 vjeç, i njohur si Sel Çami dhe Seli i Malit, u vra me armë zjarri mëngjesin e 23 nëntorit në lagjen “1 Maji” të Fierit. Ai po punonte te muri rrethues i banesës kur u qëllua. Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe nipi i tij, Jakup Hasani, 47 vjeç, i cili u transportua në Spitalin Rajonal të Fierit, ku iu nënshtrua një operacioni.
Ngjarja ndodhi rreth orës 09:40. Nëndrejtori i Policisë së Fierit, Alkët Ahmetaj, tha se salla operative mori rreth orës 09:50 një telefonatë për të shtëna në lagje. Forcat “Shqiponja” dhe patrullat që mbërritën në vendngjarje konstatuan se një person kishte humbur jetën dhe një tjetër ishte plagosur. Ahmetaj saktësoi se 47-vjeçari i plagosur është nipi i viktimës. Në njoftimin e parë, policia e kishte identifikuar si vëllanë e tij.
Të shtënat pranë banesës dhe kërkimet në aksin Fier–Vlorë
Dy persona të maskuar dyshohet se zbritën nga një automjet dhe qëlluan drejt Hasanit. Po sipas këtij raportimi, një “Volvo” e bardhë, e raportuar si e vjedhur, dyshohet se i priste në rrugë. Hetuesit po verifikojnë nëse në sulm kanë marrë pjesë edhe persona të tjerë dhe nëse, pas të shtënave, autorët janë larguar në drejtim të Vlorës.
Në njoftimin paraprak, Policia e Fierit bëri të ditur se në Ndërmenas ishte konstatuar një automjet në flakë, për të cilin dyshohej se ishte përdorur nga autorët. Më pas u raportua edhe për një makinë të djegur pranë rrethrrotullimit të Pojanit, në drejtim të Parkut Arkeologjik të Apolonisë. I pyetur për lidhjen e automjetit të gjetur në Pojan me ngjarjen, Ahmetaj tha se policia po verifikonte informacionet për automjetet dhe personat e dyshuar.
Reklamë për udhëtimet me autobus Sarandë–Tiranë
Policia ngriti pika kontrolli përgjatë akseve ku dyshohej se mund të lëviznin autorët, përfshirë hyrjen e Vlorës, ku efektivët ndaluan dhe kontrolluan automjetet që kalonin. Në lagjen “1 Maji”, grupi hetimor këqyri zonën pranë murit rrethues të banesës dhe nisi marrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë. Pamjet pritet të ndihmojnë në përcaktimin e lëvizjeve të personave dhe automjeteve para dhe pas të shtënave.
Kontroll në banesën e Arben Isufajt, në hetim konflikti i vitit 2002
Një nga pistat që po shqyrtohet është hakmarrja për shkak të konfliktit të vjetër mes Selami Hasanit dhe Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”. Sipas Shqiptarja.com, policia ushtroi kontrolle në banesën e Isufajt pas vrasjes. Deri në përditësimin e raportimit, policia ende nuk kishte njoftuar për identifikimin e autorëve apo për konfirmimin e motivit.
Konflikti lidhet me një ngjarje të vitit 2002, kur u vra Julian Isufaj, nipi i Arben Isufajt. Për vrasjen e tij, Selami Hasani ishte dënuar me 25 vjet burg. Në të njëjtën ngjarje humbi jetën edhe kambisti Esat Tare, ndërsa u plagosën Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj. Ky i fundit ishte kalimtar i rastit. Hasani kishte dalë nga burgu prej disa vitesh.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit, po vijon veprimet për të përcaktuar itinerarin e largimit, për të verifikuar lidhjen e automjeteve të djegura me sulmin dhe për të identifikuar personat e përfshirë. Saranda News








