Publikohen pamje nga atentati në Sarandë, dyshohet se autori përdori dy pistoleta
Janë publikuar pamje të shkëputura nga kamerat e sigurisë që tregojnë një nga personat e dyshuar për vrasjen e 44-vjeçarit Artan Myrtaj, më 20 shtator në Sarandë. Në pamje, personi mban skafandër, xhup jeshil dhe pantallona të zeza. Ai shfaqet me dy armë në duar.

Sipas të dhënave të raportuara nga hetimi, i dyshuari ka qëlluar fillimisht me një pistoletë me silenciator. Pasi arma është bllokuar, ai dyshohet se ka përdorur pistoletën tjetër. Identiteti i tij ende nuk është bërë publik.
Hetuesit po verifikojnë lëvizjet e dy personave të dyshuar pas atentatit. Sipas të njëjtave të dhëna, ata janë larguar në drejtim të Konispolit, ndërsa po shqyrtohet edhe mundësia që të kenë kaluar ilegalisht në Greqi. Deri tani janë marrë në pyetje mbi 30 persona, por të dyshuarit nuk janë kapur.
VIDEO e atentatit (KUJDES: Pamjet janë të rënda)
Artan Myrtaj u vra paraditen e së dielës në zonën e ish-Agjencisë, në qendër të Sarandës. Nga të shtënat u plagos edhe një kalimtar 73-vjeçar.
Pas ngjarjes, Policia ngriti një grup të posaçëm hetimor. Ndërkohë, në drejtimin e Komisariatit të Sarandës është emëruar Saimir Shkambaj, ndërsa Feliks Hoda është transferuar në Dibër. Saranda Web








