Sunday, August 2, 2026
spot_img
Home Lajme Saranda News Aktualitet Rama: Turp që djegin teserat e PS! Për ndarjen e bashkive jemi...

Rama: Turp që djegin teserat e PS! Për ndarjen e bashkive jemi ende në diskutime

Rama: Turp që djegin teserat e PS! Për ndarjen e bashkive jemi ende në diskutime

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj debateve dhe protestave që kanë nisur pas publikimit të propozimit për reformën e re administrativo-territoriale, duke bërë të qartë se ndarja përfundimtare e bashkive nuk është vendosur ende dhe se procesi ndodhet në fazën e konsultimit.

 

 

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama tha se dokumenti i propozuar do t’i nënshtrohet një konsultimi publik 60-ditor, gjatë të cilit qytetarët, pushteti vendor dhe grupet e interesit mund të shprehin qëndrimet e tyre.

 

Kryeministri e cilësoi normale edhe shfaqjen e kundërshtive brenda Partisë Socialiste, por kritikoi ashpër rastet kur është kaluar në djegien e teserave të PS-së.

“Përjashto aktin e turpshëm të djegies së teserave të PS në një rast, nga disa individë që as vetë s’kanë ditur tamam ç’kanë bërë”, shkruan Rama.

 

Sipas tij, protestat dhe kundërshtimet ndaj propozimit janë të mirëpritura për sa kohë zhvillohen në mënyrë paqësore dhe nuk pengojnë qytetarët apo cenojnë rendin publik.

 

Rama: Bashkitë mund të kërkojnë ndryshime

 

Një nga pikat më të rëndësishme të reagimit të kryeministrit lidhet me faktin se harta e propozuar aktualisht nuk duhet konsideruar si vendim përfundimtar.

 

Rama theksoi se kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë, sipas ligjit, duhet të paraqesin me shkrim qëndrimet e tyre. Ai la të hapur gjithashtu mundësinë që gjatë konsultimeve të paraqiten kërkesa për ndryshime në konfigurimin e bashkive.

 

“Deri atëherë të gjithë do të dëgjohen, përfshirë edhe bashkitë që mund të duan të integrojnë tek vetja bashki më të vogla që në propozimin aktual mbeten siç janë”, shprehet Rama.

 

Kjo deklaratë tregon se diskutimi për bashkitë që do të mbeten më vete apo që mund të integrohen me bashki të tjera vazhdon, ndërsa propozimi aktual mund të pësojë ndryshime gjatë procesit të konsultimit.

 

Rama: Vendimin përfundimtar do ta marrë Kuvendi

 

Rama hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se kundërshtimet ndaj reformës po shihen si problem nga mazhoranca.

“As në Shqipëri nuk ka regjim, as në PS nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë vendim për të shkurajuar askënd që të shprehë opinionin e vet për këtë reformë”, deklaroi kryeministri.

 

Sipas tij, gjatë 60 ditëve të konsultimit do të jepen më shumë argumente dhe informacion mbi kriteret që janë përdorur për hartimin e propozimit të ri administrativo-territorial.

 

Rama theksoi se në përcaktimin e hartës janë marrë në konsideratë argumente administrative dhe logjike dhe jo elementë historikë apo simbolikë të zonave. Në përfundim të konsultimeve dhe shqyrtimit të qëndrimeve që do të paraqiten nga bashkitë, këshillat bashkiakë dhe aktorët e tjerë, fjalën e fundit për reformën dhe hartën e re administrativo-territoriale do ta ketë Kuvendi. Saranda Web

 

Please follow and like us:
fb-share-icon
Wordpress Social Share Plugin powered by Ultimatelysocial