Shembet rrethimi në Kakome. Një ditë pas shembjes së rrethimit 20-vjeçar, pushuesit hyjnë të lirë në plazhin e Kakomesë
Vetëm një ditë pas shembjes së rrethimit që prej afro dy dekadash kufizonte hyrjen në plazhin e Kakomesë, qindra qytetarë dhe pushues po hyjnë lirshëm në një nga plazhet më të bukura të bregdetit shqiptar.
Shembet rrethimi në Kakome. Pamjet e regjistruara sot tregojnë vizitorë që kalojnë pa pengesa drejt bregut, në një zonë që për vite me radhë ka qenë objekt debatesh, protestash dhe përplasjesh mes banorëve, aktivistëve dhe institucioneve.
Atje ku deri dje ndodhej e ashtuquajtura “Porta e Kakomesë”, sot kanë mbetur vetëm rrënojat e disa kapanoneve, sende të braktisura dhe gjurmët e strukturave që shërbenin për kontrollin e hyrjes në zonë.
Shembja e rrethimit erdhi pas protestës së zhvilluar të dielën, ku qytetarë nga zona dhe pjesë të ndryshme të vendit kërkuan akses të lirë në plazh dhe kundërshtuan kufizimet që, sipas tyre, kishin penguar prej vitesh hyrjen e publikut.
Për shumë prej të pranishmëve, hyrja e lirë në Kakome përfaqëson një moment simbolik, ndërsa zhvillimet në zonë vijojnë të mbeten në qendër të vëmendjes publike. Saranda Web








