Një pagë shtesë për zjarrfikësit e Sarandës, Delvinës, Konispolit, Finiqit dhe Himarës
Zjarrfikësit e Sarandës, Delvinës, Konispolit, Finiqit dhe Himarës, të angazhuar në operacionet për shuarjen e zjarreve në zonën e Sarandës, do të përfitojnë një pagë shtesë. Vendimi është bërë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili njoftoi se është miratuar shpërblimi me një rrogë shtesë për efektivët e Forcave të Armatosura dhe zjarrfikësit që kanë marrë pjesë në operacionet kundër zjarreve.
@sarandaweb Një zjarr ka rënë gjatë natës në zonën e Gjirit të Hartës, në Ksamil. Sipas informacioneve të përcjella për Saranda Web, zjarri është shfaqur pas orës 03:00 të mëngjesit. Në zonë kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse, ndërsa drejtori i zjarrfikësve të Sarandës konfirmon se zjarri është vënë nën kontroll. Për momentin nuk ka të dhëna të konfirmuara për dëme apo për shkaqet e zjarrit. #zjarr #ksamil #ksamili #sarandaweb #zjarrfikës
“Miratuam një rrogë shtesë për ushtarët e zjarrfikësit që kanë punuar për shuarjen e zjarreve”, deklaroi Nufi.
Në zonën e Sarandës, zjarrfikësit e pesë bashkive u angazhuan në përballimin e vatrave të zjarrit, mes tyre zjarri në Bregas (Vromeros) dhe zjarri në Gjirin e Hartës në Ksamil. Operacionet kërkuan angazhim të forcave nga disa bashki për të kufizuar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur zonat e rrezikuara.
Dhënia e një page shtesë për forcat e angazhuara ishte paralajmëruar pak ditë më parë edhe nga kryeministri Edi Rama, ndërsa tashmë ministri Nufi ka bërë të ditur miratimin e masës.
Shpërblimi vjen pas një periudhe me vatra zjarri në disa zona të vendit, ku zjarrfikësit dhe efektivët e Forcave të Armatosura janë angazhuar në terren për shuarjen dhe mbajtjen nën kontroll të flakëve. Saranda Web








