Sunday, June 14, 2026
spot_img
Home Lajme Saranda News Aktualitet Arrestohet bashkëpunëtori i dy autorëve të dyshuar për atentatin me tritol te...

Arrestohet bashkëpunëtori i dy autorëve të dyshuar për atentatin me tritol te Ura e Vrinës

Arrestohet bashkëpunëtori i dy autorëve të dyshuar për atentatin me tritol te Ura e Vrinës. Policia e Sarandës njofton se ka vijuar zbardhjen e atentatit të ndodhur më 5 shkurt 2026 në Konispol, ku në automjetin e M Gj. ishte vendosur një sasi lënde plasëse që fatmirësisht nuk shpërtheu për shkak të një defekti në mekanizmin e aktivizimit.

 

Policia zbardh detaje të reja për eksplozivin në Shëndëlli

 

Pas shpalljes në kërkim të G. T. dhe Xh. B., të dyshuar si organizatorë dhe autorë të ngjarjes, hetimet kanë çuar në identifikimin dhe arrestimin e një bashkëpunëtori të tyre.

 

Në kuadër të operacionit të koduar “Identifikimi”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, kanë ndaluar shtetasin I. K., 21 vjeç, banues në fshatin Shëndëlli. Sipas Policisë, ai dyshohet se ka bashkëpunuar me dy personat e shpallur në kërkim në atentatin ndaj tij.

 

Gjatë kontrollit në banesën e 21-vjeçarit u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila mbahej pa leje.

 

Sipas hetimeve, mëngjesin e 5 shkurtit, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Vrinës”, autorët kishin vendosur në automjetin e M. Gj. gjashtë kallëpe me lëndë plasëse, të cilat dyshohet se do të aktivizoheshin nëpërmjet një sistemi telekomandimi. Megjithatë, shpërthimi nuk ndodhi për shkak të mosfunksionimit të lidhjes mes kapsollit dhe lëndës eksplozive.

 

Për këtë ngjarje, Policia ka shpallur më herët në kërkim G. T., i dyshuar për sigurimin e numrit telefonik që do të përdorej për aktivizimin në distancë të eksplozivit, si dhe Xh. B., i dyshuar si autori kryesor i vendosjes së lëndës plasëse në automjet.

 

Ndaj tre të dyshuarve rëndojnë akuzat për “Vrasje me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, si dhe për armëmbajtje pa leje.

 

Policia njofton se vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e dy personave të shpallur në kërkim, ndërsa hetimet po zhvillohen nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës për të dokumentuar plotësisht ngjarjen dhe për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë.

 

Please follow and like us:
fb-share-icon
Wordpress Social Share Plugin powered by Ultimatelysocial