E enjte, 26 Nëntor, 2026
spot_img

Saranda News – Lajmet e fundit nga Saranda

Home Lajme Saranda News Aktualitet Paketa fiskale 2027 në Bashkinë Sarandë, sa propozohet të paguajnë familjet dhe...

Paketa fiskale 2027 në Bashkinë Sarandë, sa propozohet të paguajnë familjet dhe bizneset

Paketa fiskale 2027 në Bashkinë Sarandë, sa propozohet të paguajnë familjet dhe bizneset

Këshilli Bashkiak i Sarandës pritet të votojë sot, më 26 nëntor, taksat dhe tarifat vendore për vitin 2027. Mbledhja është parashikuar të nisë në orën 12:00 dhe paketa fiskale është pika e tretë e rendit të ditës. Projektvendimi përcakton pagesat për familjet dhe bizneset, si dhe detyrimet për akomodimin turistik, ndërtimet e reja dhe parkimin.

Për familjet në Sarandë dhe Ksamil, tarifa e shërbimeve publike propozohet të jetë 5 000 lekë në vit, ndërsa për ato në Gjashtë, Metoq, Shelegar dhe Çukë, 3 600 lekë në vit. Pagesa parashikohet të ndahet në 12 këste mujore dhe të përfshihet në faturën e ujit.  Projektvendimi parashikon përjashtime nga kjo tarifë për kategori si pensionistët, përfituesit e ndihmës ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuara, sipas kushteve dhe dokumentacionit të përcaktuar në draft.

Tarifa për bizneset varet nga aktiviteti dhe xhiroja

Për bizneset, tarifa vjetore e shërbimeve publike llogaritet sipas llojit të aktivitetit dhe xhiros. Për dyqanet që shesin me pakicë mish, peshk, bulmet, fruta-perime ose produkte ushqimore, për shembull, projektvendimi parashikon tarifa nga 7 500 deri në 40 000 lekë në vit, sipas kategorisë së xhiros. Afati i përgjithshëm i pagesës për bizneset është 20 prilli.

Taksa e fjetjes në hotel dhe tarifa për kroçerat

Për hotelet me 4 dhe 5 yje, drafti parashikon një taksë fjetjeje prej 175 lekësh për person për natë. Për hotelet nën katër yje, motelet, hostelet, bujtinat dhe strukturat e ngjashme, propozohet një taksë prej 70, 90 ose 120 lekësh për person për natë, sipas zonës ku ndodhet struktura.

Projektvendimi përfshin edhe një tarifë prej 50 lekësh për çdo pasagjer të kroçerave që zbret në portin e Sarandës.

Parkimi dhe ndërtimet e reja

Për parkimin me pagesë në rrugë, drafti përcakton 100 lekë në orë në zonën A dhe 50 lekë në orë në zonën B. Në sheshet e administruara nga Bashkia, parkimi deri në tri orë propozohet të kushtojë përkatësisht 150 dhe 100 lekë.

Për ndërtimet e reja për banim, tregti ose shërbime që kryhen nga sipërmarrësit dhe shoqëritë e ndërtimit, taksa e ndikimit në infrastrukturë propozohet në 8% në zonën A, 6% në zonën B dhe 4% në zonën C, mbi bazën e çmimit të shitjes për metër katror. Saranda Web

LEXO TË PLOTË KËTU 

Burimi: Saranda Web
Lexoni artikullin origjinal në SarandaWeb.net

Please follow and like us:
fb-share-icon
Wordpress Social Share Plugin powered by Ultimatelysocial