Ballina Lajme Saranda News Policia aksion në resortin luksoz, sekuestrohen 100 banesa e vila të ndërtuara...

Policia aksion në resortin luksoz, sekuestrohen 100 banesa e vila të ndërtuara pa leje, ngrihen qindra milion euro

Aksioni i policisë së Kosovës “Brezovica” ka vazhduar sot në Brezovicë. Gazeta Express shkruan se Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se në Brezovicë – Zona e ll e Parkut Kombëtar “Sharri”, janë të ndërtuara rreth 100 objekte në kundërshtim me ligjin.

Siç njofton Prokuroria Themelore e Ferizajt, vlerësimin se në këtë zonë turistike janë 100 ndërtime në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”, e ka bërë Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë dhe Agjencia e Kadastrave e Kosovës.

“Andaj, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë sekuestruar përkohësisht rreth njëqind (100) objekte ndërtimore, të cilat sipas Prokurorisë, janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën zyrtare nga të pandehurit në këtë rast, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar ‘Sharri’, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, me çka kanë degraduar mjedisin në këtë zonë, kështu që edhe objektet janë rrjedhojë e veprave penale të përshkruara më lartë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria Themelore e Ferizajt ka kryer disa aksione dhe inspektime në terren për të hetuar ndërtimet në zonën e Brezovicës që nga dhjetori i vitit 2021 dhe fillimi i vitit 2022. Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka arrestuar dhjetëra persona mes të cilëve edhe kryetarin e Komunës së Shterpcës, Bratisllav Nikoliç, për të cilin dyshohet se kishte përfituar mbi 1 milion euro nga dhënia e lejeve për ndërtimin e vilave në Brezovicë. Gjithashtu, shteti ka ngrirë edhe miliona euro lidhur me këto raste.

Please follow and like us:
fb-share-icon
Wordpress Social Share Plugin powered by Ultimatelysocial