Monday, August 10, 2026
spot_img
Home Lajme Saranda News Aktualitet Saranda çel Fest Folk 2026, Ansambli Kombëtar sjell magjinë e folklorit shqiptar...

Saranda çel Fest Folk 2026, Ansambli Kombëtar sjell magjinë e folklorit shqiptar buzë Jonit

Saranda çel Fest Folk 2026, Ansambli Kombëtar sjell magjinë e folklorit shqiptar buzë Jonit

Saranda është mbushur me ritmet, ngjyrat dhe emocionet e folklorit shqiptar, duke u kthyer në skenën e parë të Fest Folk 2026. Në zemër të qytetit bregdetar, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore çeli turin veror, duke sjellë për publikun dhe turistët një mbrëmje të mbushur me traditë, muzikë dhe identitet shqiptar.

 

 

Kostumet shumëngjyrëshe, vallet tradicionale, këngët popullore dhe interpretimet e artistëve krijuan një atmosferë festive buzë detit Jon, ndërsa Saranda, në kulmin e sezonit turistik, u bë pikëtakimi mes turizmit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.

 

“Jemi në sheshin e një prej qyteteve më të bukura të Shqipërisë, Sarandë, dhe starton sonte nata e parë e turit të Fest Folk 2026 të Ansamblit Kombëtar. Nga ky shesh i bukur, këtu buzë detit Jon, ky rrugëtim do të vazhdojë në Gjirokastër, Berat dhe Vlorë. Ansambli Kombëtar do të zbresë aty ku janë pushuesit, ku është publiku, duke festuar së bashku me ta me këngë të mrekullueshme. Jemi të kënaqur, sepse ende pa nisur koncerti, këtu ka nisur festa.”

 

Në skenën e Fest Folk 2026 në Sarandë nuk munguan këngët dhe vallet nga treva të ndryshme shqiptare. Nga jugu në veri, repertori solli larminë e jashtëzakonshme të folklorit dhe traditave shqiptare përpara një publiku ku, krahas qytetarëve, kishte edhe shumë turistë të huaj.

 

“Jam Mariana Shkreta, një nga solistet e Ansamblit Shtetëror. Sot startojmë Fest Folk në një nga qytetet më të bukura të Shqipërisë, Sarandë, ku do të performojmë disa nga vallet tona të jugut dhe të veriut. Shpresojmë të argëtojmë gjithë turistët dhe më pas do ta vazhdojmë turin edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Tradita jonë e bukur është edhe pasaporta që kemi kudo jashtë vendit”, u shpreh Mariana Shkreta.

 

Për artistët e Ansamblit Kombëtar, koncertet në qytetet turistike janë jo vetëm një festë e muzikës dhe valles, por edhe një mundësi për t’u prezantuar mijëra vizitorëve të huaj kulturën, folklorin dhe trashëgiminë shqiptare.

 

“Ndodhemi në Sarandën e bukur, ku nis turi i Ansamblit Shtetëror. Koncertet tona janë të larmishme dhe përfaqësojnë trevat shqiptare si në këngë, ashtu edhe në valle. Kënaqësia më e madhe është që edhe turistët, që mesa shoh Saranda është super full, do të shijojnë kostumet dhe interpretimet tona. Një super mbrëmje sot në Sarandë”, tha solistja Iris Bega.

 

Në një prej destinacioneve turistike më të vizituara të Rivierës Shqiptare, Fest Folk 2026 solli kështu një tjetër dimension të Sarandës së verës: jo vetëm det, plazhe dhe pushime, por edhe kulturë shqiptare, traditë, këngë, valle dhe folklor.

 

Nga Saranda, turi i Fest Folk 2026 dhe Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore vijon drejt qyteteve të tjera të Shqipërisë, mes tyre Gjirokastra, Berati dhe Vlora, duke e çuar folklorin shqiptar aty ku këtë verë ndodhet publiku dhe mijëra turistë.

 

Një udhëtim nga jugu në qytete të tjera të Shqipërisë, ku kënga, vallja, kostumet popullore dhe tradita shqiptare bëhen ambasadorët më të bukur të identitetit tonë. Saranda Web

 

Please follow and like us:
fb-share-icon
Wordpress Social Share Plugin powered by Ultimatelysocial