Sekuestrohen 4 pistoleta në tunelin e Skërficës, armët dyshohet se po transportoheshin drejt Sarandës. Një operacion policor i zhvilluar pasditen e djeshme në tunelin e Skërficës, në aksin rrugor Kardhiq–Delvinë, ka çuar në sekuestrimin e katër armëve të zjarrit.
Sipas burimeve paraprake, gjatë kontrollit të një automjeti janë gjetur dhe sekuestruar 4 pistoleta të tipit “Glock”, të cilat dyshohet se kishin si destinacion qytetin e Sarandës.
KOMUNIKATA E POLICISË
Sarandë/Finalizohet si rezultat i një hetimi me metoda speciale, operacioni i koduar “Mekanizmi”.
Transportonte 4 pistoleta, kapet në tunelin e Skërficës, dhe vihet në pranga 31-vjeçari (me precedent në fushën e narkotikëve).
Nga hetimi dyshohet se armët janë trafikuar në pjesë dhe janë montuar në Shqipëri, për t’ia shitur një grupi kriminal në Sarandë.
Sekuestrohen armët e zjarrit dhe automjeti që drejtonte i arrestuari, në dyshemenë e të cilit, ishin fshehur armët.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, si rezultat i një hetimi me metoda speciale, kryer në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim identifikimin dhe ndalimin e shtetasve, të cilët individualisht ose në grup, përbëjnë rrezik për kryerje të ngjarjeve kriminale dhe për sigurinë e qytetarëve, finalizuan në bashkëpunim me shërbimet e Njësisë së Sigurisë Publike, Njësia Fier, dhe me shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSh-së, operacionin e koduar “Mekanizmi”.
Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi K. B., 31 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë kanë mbajtur në vëzhgim automjetin që drejtonte 31-vjeçari dhe në tunelin e Skërficës kanë kryer ndalimin e tij.
Nga kontrollet në automjet u gjetën të fshehura në dysheme, 4 armë zjarri (pistoleta) që dyshohet se janë trafikuar në Shqipëri, në pjesë, dhe janë montuar më pas, me qëllim shitjen një grupi kriminal në Sarandë.
Hetimi vijon me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. Saranda Web








