Janë duke vijuar punimet e mirëmbajtjes, restaurimit dhe konsolidimit në një objekt tjetër monument kulture Kat. I-rë, Ura e Leshnicës së Poshtme, ndodhur në Bashkinë Finiq.
Pas hartimit të projektit nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë dhe miratimit të projektit në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, zbatimi i punimeve të mirëmbajtjes / restaurimit/ konsolidimit, kryesisht konsiston në:
– Pastrim nga bimësia e ulët dhe injektim solucioni për tharjen e tyre;
– Konsolidim i çarjeve në trupin e urës;
– Konsolidim i muraturës së urës nëpërmjet plotësimit të fugave;
– Vendosje gabionash për mbrojtjen e shpatullave të urës nga rryma e lumit;
– Restaurim i kalldrëmit të urës, etj.
Për vet rëndësinë arkitektonike dhe historike që mbart kjo Urë e shek. XIX, e cila ka gjatësi 11 m, gjerësi 2 m, hapësirë drite të harkut 6 m dhe është një prej akseseve kryesore të fshatit nëpërmjet përroit të Leshnicës, pas restaurimit, ajo do të jetë plotësisht funksionale dhe një vlerë e shtuar ndër atraksionet natyrore dhe kulturore të ndodhura në Bashkinë Finiq.