Tuesday, July 21, 2026
spot_img
Home Lajme Saranda News Aktualitet Është 1 nga kërkesat e protestës, por Rama nuk tërhiqet: “Paketa e...

Është 1 nga kërkesat e protestës, por Rama nuk tërhiqet: “Paketa e Maleve nuk anulohet”

Është 1 nga kërkesat e protestës, por Rama nuk tërhiqet: “Paketa e Maleve nuk anulohet”

Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar çdo mundësi për shfuqizimin e “Paketës së Maleve”, pavarësisht se ligji është kthyer në një nga çështjet më të debatueshme në vend dhe përbën një nga pesë kërkesat kryesore të protestës që vijon prej 52 ditësh.

 

 

 

Në një komunikim live në Facebook, Rama hodhi poshtë akuzat se ligji synon shitjen e maleve, duke deklaruar se ai është hartuar për t’u dhënë mundësi pronarëve të tokave në zonat malore dhe emigrantëve të investojnë në pronat e tyre.

 

Sipas kryeministrit, paketa synon të zgjidhë problemet e pronësisë, të lehtësojë investimet në agroturizëm dhe agropërpunim, si dhe të kthejë pronat e pashfrytëzuara në burim të ardhurash për banorët. Ai u shpreh se mijëra emigrantë kanë shfaqur interes për të investuar dhe e cilësoi ligjin si një politikë zhvillimi që, sipas tij, do ta shndërrojë Shqipërinë në një “Zvicër të Vogël”.

 

Por deklaratat e Ramës vijnë në një moment kur kundërshtimet ndaj këtij ligji jo vetëm nuk janë zbutur, por janë kthyer në një nga kauzat kryesore të protestës qytetare që zhvillohet çdo ditë në Tiranë.

 

Protestuesit kërkojnë shfuqizimin e plotë të “Paketës së Maleve”, duke argumentuar se ligji mund të krijojë hapësira për përvetësimin e pronave publike dhe private në zonat malore, të favorizojë investitorë të mëdhenj dhe të ndryshojë karakterin e këtyre zonave pa garanci të mjaftueshme për mbrojtjen e interesit publik dhe të banorëve.

 

Në reagimet e tyre, organizatorët e protestës kanë deklaruar se nuk janë kundër zhvillimit të zonave malore, por kundër mënyrës se si, sipas tyre, është hartuar ligji dhe mungesës së garancive për transparencë dhe mbrojtjen e pronës.

 

Megjithatë, Rama e bëri të qartë se qeveria nuk ka ndërmend të tërhiqet nga kjo nismë. Ai deklaroi se anulimi i paketës do t’i linte mijëra pronarë dhe emigrantë pa mundësinë për të zhvilluar pronat e tyre, ndërsa kritikët i cilësoi si njerëz që po krijojnë një narrativë të rreme se “po shiten malet”.

 

Në të njëjtin komunikim, kryeministri iu përgjigj edhe një komentuesi që e akuzoi për mashtrim, duke deklaruar se “për të flasin puna dhe faktet”, ndërsa ritheksoi se “Paketa e Maleve” do të mbetet në fuqi dhe se, sipas tij, do të jetë një histori suksesi për zhvillimin e vendit. Saranda Web

 

Please follow and like us:
fb-share-icon
Wordpress Social Share Plugin powered by Ultimatelysocial