Shpërthim në lokalin e një shqiptari në Athinë, policia kërkon dy persona. Kryebashkiaku: Larje hesapesh në botën e krimit
Një shpërthim dëmtoi rëndë një kafene në pronësi të një shqiptari në Nea Ionia të Athinës, në orët e para të së martës, më 24 nëntor. Kamerat e sigurisë të një biznesi pranë regjistruan momentin e shpërthimit. Policia greke po kërkon dy persona që dyshohet se janë përfshirë në ngjarje.
Sipas gazetës greke Proto Thema, shpërthimi ndodhi rreth orës 04:00, në hyrje të kafenesë në rrugën Sinopis. Hetuesit dyshojnë se dy personat që po kërkohen lëviznin me një motoçikletë.
Shpërthimi dëmtoi fasadën dhe ambientet e brendshme të lokalit, si dhe theu xhamat e disa bizneseve përreth. Nuk raportohet për të lënduar. Një banor i zonës tregoi për mediat greke se, nga zhurma e fortë, fillimisht mendoi se kishte rënë tërmet.
Kryetari i Bashkisë së Nea Ionias, Panagiotis Manouris, e cilësoi ngjarjen si një “larje hesapesh në botën e krimit”, duke kujtuar edhe një incident të mëparshëm në zonë. Motivi i shpërthimit mbetet nën hetim.
Policia po shqyrton edhe një incident të vitit 2025, kur në të njëjtin lokal u regjistruan të shtëna me armë zjarri. Sipas raportimeve, kafeneja kishte një pronar tjetër në atë kohë. Saranda Web
Burimi: Saranda Web
Lexoni artikullin origjinal në SarandaWeb.net








