Një 24-vjeçar është vënë në prangat e policisë, pasi u kap me 2 mina me lëndë plasëse C4, të cilat i kishte të fshehura në trup.
Arkil Selimi po i transportonte ato drejt Lezhës ku do tua shiste grupeve kriminale.
Ky shtetas po udhëtonte nga Fushë-Kruja drejt Lezhës me minat me telekomandë me vete. Policia kishte informacione nga inteligjenca policore për 24-vjeçarin dhe qëllimin e tij.
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin kundër Trafiqeve të Paligjshme, Seksionin e Mbështetjes Operacionale të Hetimit, Forcat Operacionale dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, në vijim të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i Ligjit” dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas nga Fushë Kruja, po udhëtonte në drejtim të Lezhës dhe kishte me vete mina me telekomandë, për t’ua shitur grupeve kriminale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Horizonti”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ai u lokalizua në afërsi të Milotit. Gjatë kontrollit fizik iu gjetën të fshehura në trup 2 mina me telekomandë me lëndë plasëse C4 për shpërthim në distancë, të cilat u sekuestruan.
Nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas i montonte vetë minat, të cilat më pas ua shiste grupeve kriminale.
Ndërkohë vijon puna me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit. Ndërsa materialet proceduriale i janë kaluar Prokurorisë Lezhë.