Prishi qetësinë publike duke bërtitur me një lodër në dorë, procedohet penalisht
Një ngjarje që ka shkaktuar shqetësim në zonën turistike të Ksamilit është regjistruar së fundmi, ku një 43-vjeçar ka përfunduar nën procedim penal për prishje të qetësisë publike.

Sipas njoftimit zyrtar të Policia e Shtetit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë referuar materialet në Prokurori, duke nisur procedimin penal ndaj shtetasit E. B., banues në Ksamil.
Nga komunikata e Policisë bëhet me dije se 43-vjeçari ka shkaktuar panik dhe shqetësim te qytetarët, duke bërtitur në ambiente publike ndërkohë që mbante në dorë një armë lodër. Edhe pse objekti nuk rezulton të ketë qenë armë e vërtetë, sipas Policisë veprimet e tij kanë krijuar situatë të tensionuar dhe kanë cenuar rendin dhe qetësinë publike në zonë.
Rasti i është referuar organit të akuzës për veprime të mëtejshme.









