SARANDA – QYTETI I SARANDES
SARANDA – Qyteti i Sarandes ndodhet 262 km larg nga Tirana, 124 km nga Vlora dhe 52 km nga Gjirokastra.
1. Një përshkrim i shkurtër
Nuk ndodh shpesh që të gjesh në të njëjtin vend site arkeologjike shumë të lashta… Të rrethuara nga një det shumë i bukur, ku banojnë njerëz mikpritës në një klimë të jashtëzakonshme. Kjo është Saranda, që shtrihet buzë Detit Jon, ku Virgjili rrëfen për zbarkimin e Eneas. Një vend magjepsës plot histori dhe legjenda.
Falë klimës së saj të butë, ia vlen të vizitohet qyteti i Sarandes dhe Shqipëria e Jugut. Hotelet mund të prenotohen në çdo periudhë të vitit. Periudha shumë të këshillueshme janë pranvera dhe vjeshta, për ata që duan të bëjnë ekskursione. Ndërsa për ata që duan detin, periudha ideale është nga fundi i majit deri në fund të shtatorit.
2. SARANDA – Pozita Gjeografike
Qyteti i Sarandes shtrihet në pjesën jugperëndimore të vendit. Ndodhet 262 km larg nga kryeqyteti i vendit, Tirana, 124 km nga Vlora dhe 52 km nga Gjirokastra. Ajo kufizohet me Delvinën, Vlorën dhe Gjirokastrën dhe lidhet me Greqinë.
Saranda – Si të mbërrini
Nëpërmjet ajrit: Nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tiranë 262 km. Nga aeroporti i Korfuzit me target dhe më tej me rrugë detare drejt Sarandës, 30 min.
Nëpërmjet detit: Nga Shqipëria nëpërmjet porteve të Durrësit dhe të Vlorës, si dhe nga Greqia nëpërmjet porteve të Korfuzit, Igumenicës.
Nëpërmjet rrugës: Nëse vini nga veriu, verilindja, porti i Durrësit dhe gjithë Shqipëria qendrore… Pasi keni mbërritur në Fier, ekzistojnë dy mundësi që nëpërmjet rrugëve automobilistike kombëtare të shkohet në Sarandë:
a. Nëpërmjet Levan, Tepelenës, Ura e Kardhiqit, Tuneli i Skërficës.
b. Nëpërmjet Vlorës, qafës së Llogarasë, e më tej përgjatë Bregdetit të Jonit (Dhërmi, Vuno, Himarë, Borsh, Lukovë).
Nëse vini nga Greqia në rrugë tokësore mund të zgjidhni për të kaluar nga pikat kufitare të Kakavijës… Tri Urave (afër Përmetit) ose Qafë Botës (në skajin jugor të vendit afër Konispolit).
Nëse vini nga Shqipëria lindore, Maqedonia ose Greqia veriore (pika kufitare e Kapshticës)… Atëherë mund të kaloni nga Elbasani dhe Rrogozhina… Duke ndjekur më pas njërin nga 2 degëzimet që fillojnë në Fier… Ose të kaloni nga Korça, Erseka, Leskoviku, Përmeti, gryka e Këlcyrës… Uji i Ftohtë i Tepelenës, Gjirokastra dhe Qafa e Muzinës.
SARANDA – HISTORIA E SARANDES
Qyteti i Sarandes për herë të parë në burimet antike përmendet në shekullin II para Krishtit me emrin Onhezmus. Ciceroni, oratori i famshëm romak, që kishte në rrethinat e Butrintit mikun e tij më të afërt, Pompon Atikun,… Kaloi këndej duke u kthyer nga Butrinti për në Romë. Qyteti duket se ka marrë një rëndësi relative në periudhën e “pax romana”. Straboni, gjeografi i famshëm romak i shekullit I para Krishtit… E përmend si një pikë të rëndësishme tranziti në lidhjet mes Romës dhe Greqisë. Në shekullin IV pas Krishtit qyteti u rrethua me mure mbrojtëse deri në dy metra të trashë. Në brendësi të këtij territori janë zbuluar mbetje banesash… Por edhe një bazilikë paleokristiane e shekullit VI-të, me dysheme të zbukuruar me mozaik.
Në shekujt XII-XIII qëndruan për pak kohë edhe venecianët. Osmanët u shfaqën, për tu larguar pesëqind vjet më pas, në 1413. Rrënimin e fundit, si për ironi të fatit, e pësoi nga një sundimtar i famshëm shqiptar, Ali Pashë Tepelena. Në shekullin XIX-të Saranda kishte një zyrë doganore… Një karantinë, një zyrë agjencie lundrimi, një han dhe disa lokale të shërbimit. Megjithatë jeta në bregun e mbushur me histori kishte nisur të rilindte. Krijimi i Shqipërisë së pavarur e gjeti Sarandën vetëm me afër 100 banorë. Zhvillimin më të madh duket se e mori në kohën e Mbretit Zogu I, në vitet ‘30 të shekullit XX-të. Gjatë kohës së pushtimit Italian qyteti u pagëzua me emrin “Porto Eda”. Eda ishte vajza e dashur e Mussolinit, por në vitet e komunizmit qyteti mori përsëri emrin Saranda. SarandaWeb
Popullsia, Besimi, Ekonomia e Sarandes
Popullsia: Rrethi i Sarandës, veç qytetit përfshin edhe Bashkinë e Konispolit dhe Finiqit. Popullsia e rrethit zyrtarisht është 85 000 banorë. Krahas popullsisë me kombësi shqiptare, në rrethin e Sarandës jeton edhe një minoritet grek dhe komunitet vllah dhe romë.
Besimi: Në Sarandë, ashtu si pothuaj kudo në Shqipëri… Do të gjeni të kombinuara dy besime kryesore fetare: Ortodoks dhe Mysliman. Raportet mes dy feve kanë qenë gjithnjë shumë të paqta. Të shumta janë edhe martesat e përbashkëta.
Ekonomia: Në zhvillimin ekonomik të Sarandës sot rolin kryesor e luajnë turizmi, tregtia, transporti detar, peshkimi dhe industria e lehtë. Zhvillimi i ekonomisë së turizmit është ekonomia bazë për qytetin e Sarandës dhe Ksamilin. SarandaWeb
Tradita dhe Zakone në Sarande
Veshja Tradicionale: Veshjet popullore janë të larmishme tek çamët dhe labët. Këto veshje dhe objekteve të tjera të kulturës popullore mund t’i gjeni duke vizituar Muzeun Etnografik. Ai ndodhet në qendër të qytetit. Adresa: Pranë Limanit, në shëtitoren kryesore të qytetit. Tel: +355 852 4600.
Kuzhina: Kuzhina tradicionale në qytetin e Sarandes ka karakteristikat dhe veçantinë e saj… Edhe pse ka ndryshuar me ndërhyrjen e kuzhinës greke, turke dhe italiane. Ndër gatimet më tipike janë: kukureci, paçja me vezë, byrekët, mishi i qengjit i pjekur etj. Përveç gatimeve me bazë mishi, shumë të njohura janë gatimet me bazë peshku. Këtu përmendim peshkun e zgarës, qefulli dhe levrekun. Pija më karakteristike e Sarandës, sikundër në gjithë vendin, është rakia. SarandaWeb
MEDIA NË SARANDE
Media: SARANDA aktualisht nuk ka asnjë televizion lokal në frekuencat digitale, ndërsa i vetmi televizion online është SarandaWeb Televizion. Përsa i përket mediave elektronike, SarandaWeb është portali kryesor që ofron informacione për gjithçka rreth Sarandës. Kontakt: sarandaweb@gmail.com
Saranda – Vende për tu vizituar
Qyteti i Sarandes dhe territori rreth saj janë absolutisht vendi më i pasur në Shqipëri me objekte të vjetra kulti.
Kisha e Manastirit të 40 Shenjtorëve ndodhet në Lindje të Sarandës. Kisha ndodhet në vendin nga ku mund të shihni tërë Sarandën. Është ndërtuar në shekullin XV. Një rast më shumë për t’u kredhur në një atmosferë gati-gati mistike. SarandaWeb
Kisha e Manastirit të Shën Mërisë në Mesopotam ndodhet vetëm pak kilometra në rrugën Sarandë – Kakavije. Është ndërtuar në shekullin e XI-të nga perandori bizantin Konstantin Monomaku. Është nga monumentet më të rralla bizantine të shekujve XI-XIV-të. Nga manastiri i vjetër sot ruhen rrënoja të mureve rrethuese dhe një kullë në pjesën perëndimore. Manastiri është zhdukur thuajse krejtësisht. Kisha është një përzierje e stilit të vjetër bizantin me ndikim roman. Është ndërtuar në shekullin XII, kohë në të cilën ky territor ishte nën zotërimin e anzhuinëve.
Xhamia e Gjin Aleksit: Në krejt zonën rreth e rrotull Sarandës do të hasni në shumë xhami. Porse ato janë kryesisht të reja. Një kuriozitet më vete përbën një xhami që i kushtohet një të krishteri. Ajo quhet “Xhamia e Gjin Aleksit” dhe është bashkë me disa varre të shenjta myslimane në mes të fshatit Rusan. Xhamia është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe në shekullin XVII-të dhe është ende funksionale. Xhamia gjendet në periferi të Delvinës.
Saranda – Itinerare Jashtë Qytetit
Sarandë Butrint – Ksamil
Që të shkoni në Butrint duhet të merrni rrugën që ju nxjerr nga jugu i qytetit të Sarandës. Butrinti është rreth 15 kilometra. Qyteti antik është i hapur për turistët prej orës 08.00 të mëngjesit gjatë të gjitha ditëve të javës. SarandaWeb
Në fillim të parkut do të hasni një banesë romake. Ajo duhet të jetë e shekullit të II-të pas Krishtit dhe më pas një kolonadë… Studiuesit mendojnë se duhet të jetë shumë më e hershme se banesa. Në krah të kolonadës do të shihni monumentin më të rëndësishëm të Butrintit, teatrin antik. Ky është ndërtuar në shekullin e IV para Krishtit dhe sot është në gjendje shumë të mirë. Në skenën e tij luhen gjatë stinës së verës shumë shfaqje. Aktiviteti më i njohur është Festivali Ballkanik i Teatrove që organizohet këtu për çdo vit, në muajin korrik. Në muret e teatrit do të keni mundësi të shihni shumë mbishkrime në latinisht. Kryesisht janë vendime për lirimin e skllevërve.
Saranda – Teatri i Butrintit
Teatri i Butrintit mban afër 2 mijë spektatorë. Afër teatrit gjenden rrënojat e tempullit të Asklepit, apo Eskulapit, perëndisë antike të Shëndetit. Studiuesit mendojnë se Asklepi ka qenë perëndia mbrojtëse e qytetit. Në lindje të teatrit, jo shumë larg tij gjendet baptisteri i Butrintit.
Ky është ndërtuar në shekullin IV. Në mes të tij është salla e pagëzimit e rrethuar nga një numër kolonash që mbahen ende në këmbë. Dyshemeja është e shtruar me mozaik që paraqet 69 medaljone me simbole kishtare dhe skena të njohura, ekuaristinë dhe pagëzimin. Përveç vlerave arkeologjike, Butrinti ofron një kompleks të tërë natyror dhe gjeosistem te veçantë. Qyteti antik ndodhet mes një gjelbërimi natyral. Buzë liqenit karakteristik, vetëm 3 km larg detit, me të cilin lidhet nëpërmjet kanalit të Vivarit.
Saranda dhe plazhet e KSAMILIt
Ksamili është një qendër e re banimi. Në Ksamil dhe 4 ishujt e vegjël përballë tij ka mjaft plazhe të mrekullueshëm. Ato mund t’i zbuloni deri në orët e vona të pasdites… Duke udhëtuar me varkat e shumta që e ofrojnë këtë shërbim. Janë ishuj të vegjël shkëmborë pranë njëri-tjetrit, të mbuluar me një vegjetacion tipik mesdhetar mjaft mirë të zhvilluar. Në ujin detar gjallon një faunë e florë mjaft e pasur të mbrojtura nga konventat Ndërkombëtare, ku Shqipëria aderon. Përbën një zonë unikale dhe mjaft përfaqësuese e bregdetit shkëmbor jonik shqiptar. Monumenti në fjalë është në gjendje të mirë. Ai ka vlera turistike, shkencore, biologjike. Për të shkuar tek ky monument merret rruga automobilistike Sarandë-Ksamil, Ksamil-Ishuj me lundrim.
Saranda – Mesopotam – Syri i Kaltër
Mesopotami ndodhet në krah të rrugës që lidh Sarandën me Gjirokastrën. Në të mund të shkohet edhe nga ana e Delvinës, nga e cila e ndajnë vetëm katër kilometra. Ky është një fshat shumë i gjelbër, i vendosur në krah të lumit Bistrica. Monumenti më i rëndësishëm në Mesopotam është Manastiri i Shën Kollit i shekullit XI. Siluetën e mureve dhe të kishës së tij do ta shihni vetëm pak qindra metra larg rrugës kryesore. Një nga vendet më të bukura të Shqipërisë është “Syri i Kaltër”.
Është vendi i vetëm ku është takuar deri më sot… Një lloj i ri për Shqipërinë, lakuriqi i natës (Myotis bechsteinii). Ka vlera turistike, shkencore, estetike, dhe çlodhëse. Ky është vendburimi i lumit Bistrica… Ka një burim kryesor me diametër prej gjashtë metrash me ujë të kthjellët… Që nuk shteron kurrë dhe anash tij ka edhe një numër shumë të madh burimesh. Është shpallur “Pasuri e Rrallë Natyrore” dhe mbrohet nga shteti shqiptar. Burimi është i rrethuar nga pyje të virgjër.
Saranda – Kakome – Shën Vasil – Nivicë – Lukovë – Borsh:
Itinerari që po ju propozojmë tani është njëri ndër më interesantët jo vetëm në Sarandë, por për krejt Shqipërinë. Ky është udhëtimi përgjatë rrugës që lidh Vlorën me Sarandën në drejtim të Veriut. Pasi të keni lënë pas lagjet periferike, gjithnjë e më tepër në zgjerim të Sarandës… Stacioni juaj i parë do të jetë Gjiri i Kakomesë. Përfaqëson një gji të vogël detar, por mjaft piktoresk.
Nëse jeni në Gjirin e Kakomesë mos harroni të vizitoni edhe dy pika të rëndësishme turistike. Këto janë fshatrat Shën Vasil dhe Nivicë. Për të shkuar drejt tyre duhet të ktheheni nëpër të njëjtën rrugë që përshkuat më parë. Në fakt fshati ka ekzistuar falë një manastiri që është ngritur në kujtim të shenjtit në shekullin XVII. Jo shumë larg nga fshati ndodhet plazhi i bukur i Krorëzës.
Nivica është një fshat jo bregdetar, fare afër Shën Vasilit. Është fshat i njohur që përmendet që herët në dokumente historike. Veçanërisht ka qenë i famshëm për ushtarët… Që i dërgonte në ushtritë e huaja që nga Venediku dhe deri në Spanjë. Nëse vazhdoni përgjatë rrugës kryesore…. Brenda më pak se gjysmë ore do të ndodheni në një fshat tjetër të njohur, në Lukovë. Lukova duket se ka qenë një vendbanim shumë i hershëm. Arkeologët kanë gjetur në vendin që quhet Kodra e Gashnjarit rrënoja të një fortifikimi të kohës së bronzit. Gjurmë të një kalaje të vjetër janë gjetur edhe në vendin që fshatarët e quajnë “Qafa e Pazarit”.
Saranda –BORSHI
Megjithëse sot të dëmtuara, ju mund të ndaleni në atë që quhet “Ballkoni i Bregdetit”… Për të parë dhe përfytyruar punën e madhe që u bë në Lukovë dhe rreth saj. Pas 15 kilometrash do të arrini në një fshat tjetër me bukuri të rrallë, në Borsh. Rruga që do të përshkoni është një atraksion turistik më vete… Gjatë të gjithë kohës do të keni në krahun tuaj të majtë siluetën e Korfuzit… Të rrethuar nga ujërat blu të Jonit. Borshi është një nga fshatrat më të mëdhenj të kësaj zone.
Shumë interesant është të shkoni në Borshin e vjetër… Rrënojat e të cilit shtrihen mbi një majë shkëmbore afër 300 metra të lartë. Ajo që do t’ju bëjë përshtypje që poshtë nga rruga kryesore është një kështjellë e vjetër. Kjo është kështjella e Sopotit, të cilën vendasit e quajnë edhe “Kalaja e Grekut”. Është një vend shumë strategjik, nga kjo kala mund të shihet Joni deri shumë larg në horizont. Në qendër të Borshit do t’ju tërheqë vëmendjen edhe një burim me ujëra të bollshme që zbret nga mali.
Poshtë në fushë, pasi të keni kaluar një plantacion të gjerë me ullinj e agrume… Do të mbërrini në RËRËN e bardhë të plazhit të Borshit, i gjatë disa kilometra. Tani mos mendoni më për gjë tjetër. Kridhuni në Jon dhe gëzoni këtë parajsë të mbetur ende të paprekur.
PLAZHET NË SARANDË
Plazhe ne Sarande – Guidë ku mund të kaloni pushimet.
Plazhe ne Sarande – Në këtë publikim po sjellim plazhet në zonën e Sarandës, Ksamilit dhe Lukovës…. Ku mund të kaloni pushimet gjatë qëndrimit tuaj. Preferojmë që listimin ta bejmë nga afërsia me Sarandën. Gjithashtu në këtë publikim po i sjellim këto plazhe edhe me vendndodhje në google map
Plazhi publik i Centralit ndodhet buzë Shëtitores së Sarandës. Megjithëse nuk mund të konsiderohet plazh 100 % i pastër, ky plazh ka avantazh. Këtu nuk ju nevojitet të shpenzoni për transportin.
Gjithashtu në këtë plazh gjatë viteve të fundit ka funksionuar edhe shërbimi i Lifeguard, rojeve të bregdetit.
Vendndodhja https://goo.gl/lW9Uy1
Plazhi i Manastirit
Playhi i Manastirit ndodhet në kilometrin e 6-të të rrugës nacionale Sarandë – Butrint.
Plazhi ndodhet në gji ranor me ujë të kristaltë
VENDNDODHJA https://goo.gl/bPcFJl
Plazhi Pasqyra
Ndodhet në kilometrin e 7-të të rrugës Sarandë – Butrint, rreth 1 kilometër nga rruga.
VENDNDODHJA https://goo.gl/RNAjy3
Plazhi Pulëbardha
Plazhi Pulëbardha ndodhet gati 10 km larg nga Saranda përgjatë rrugës për në Butrint shumë afër Ksamilit. Ky plazh i vogël, i veçuar, i virgjër dhe shumë piktoresk është në fundin e një kodrine…
Vendndodhja https://goo.gl/ShXWPT
PLAZHE NE SARANDE – Plazhet e Ksamilit
Plazhet e Ksamilit janë shumë të pëlqyer për pastërtinë e ujrave të tyre… Rërën e imët dhe pamjet piktoreske që ofrojnë.
Vendndodhja https://goo.gl/enFM2U
Plazhi i Krorezës
Plazhi Krorëz. Nëse ka mbetur ndonjë plazh i virgjër në rivierën shqiptare, padyshim që ky është plazhi i Krorëzës. Në këtë plazh të magjishëm që ndodhet shumë pranë Sarandës mund të shkohet vetëm me varkë ose me këmbë. 500 metër në jug të plazhit të Krorëzës, ndodhet edhe plazhi i Kakomesë.
Vendndodhja https://goo.gl/F5NMdX
Vizitoni Sarandën
Plazhi i Shpellës Lukovë
Ndodhet rreth 20 kilometër në rrugën Sarandë – Vlorë. Natyra e paprekur, uji i kristalte i Jonit me ngjyrën e veçante e bëjnë këtë plazh … Një ndër pikat më të vizituara ndër plazhet e Bregut.
Vendndodhja https://goo.gl/SMkPhc
PLAZHI I BUNECIT – BUNECI BEACH
Website SarandaWeb.net
Facebook SarandaWeb
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Twitter SarandaWeb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
Linktree sarandaweb
in sarandaweb