Tuesday, August 11, 2026
spot_img
Home Lajme Saranda News Aktualitet Tragjedi në Greqi/ Përplasen dy helikopterë zjarrfikës gjatë betejës me flakët, dy...

Tragjedi në Greqi/ Përplasen dy helikopterë zjarrfikës gjatë betejës me flakët, dy të vdekur

Tragjedi në Greqi/ Përplasen dy helikopterë zjarrfikës gjatë betejës me flakët, dy të vdekur

Një operacion për shuarjen e zjarreve është kthyer në tragjedi në Greqi. Dy helikopterë të angazhuar në luftën kundër flakëve u përplasën në zonën e Psathës, në Atikë, duke shkaktuar vdekjen e dy personave. Dy të tjerë arritën të mbijetonin. Në bordin e dy helikopterëve ndodheshin gjithsej katër persona.

 

 

Sipas Departamentit të Zjarrfikësve, në njërin helikopter ndodheshin një pilot britanik dhe ndërlidhësi i tij grek, të cilët mbijetuan, ndërsa helikopteri i dytë kishte në bord një pilot danez dhe ndërlidhësin e tij grek, të cilët humbën jetën.

 

Menjëherë pas përplasjes u aktivizua një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi. Ekipet arritën të lokalizonin dhe nxirrnin nga zona e aksidentit të katër anëtarët e ekuipazheve, por për dy prej tyre nuk mund të bëhej më asgjë.

 

Helikopterët ishin marrë me qira për nevojat e Shërbimit Zjarrfikës grek dhe ishin nisur nga aeroporti i Elefsinës për t’iu bashkuar operacionit për shuarjen e zjarrit të madh në Porto Germeno.

Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e përplasjes. Sipas informacioneve paraprake, një nga pistat që po shqyrtohet është ajo e një gabimi njerëzor, megjithëse ende nuk ka një përfundim zyrtar mbi shkakun e tragjedisë.

 

Mitsotakis: Humbja e tyre na mbush të gjithëve me dhimbje

 

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis reagoi pas ngjarjes, duke shprehur trishtimin për humbjen e dy personave që po merrnin pjesë në betejën kundër zjarreve.

 

“Shpreh trishtimin tim më të thellë për aksidentin tragjik që përfshiu dy helikopterët e marrë me qira për shuarjen e zjarreve, që morën jetën e dy luftëtarëve në vijën e parë në luftën kundër zjarreve në kushte shumë të këqija atmosferike”, shkroi Mitsotakis.

 

Ai shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, duke theksuar se humbja e pilotit danez dhe e ndërlidhësit grek “na mbush të gjithëve me dhimbje”.

 

Tragjedia vjen në një periudhë tepër të vështirë për Greqinë, ndërsa forcat zjarrfikëse po zhvillojnë operacione të vazhdueshme për përballimin e zjarreve. SarandaWeb

 

Please follow and like us:
fb-share-icon
Wordpress Social Share Plugin powered by Ultimatelysocial