1 në pranga, 2 në ndjekje penale dhe 1 në kërkim nga Policia e Sarandës
Policia e Sarandës njofton se ka ndërmarrë një sërë veprimesh procedurale gjatë kontrolleve të fundit në territor, duke çuar 1 në pranga, 2 në ndjekje penale dhe 1 në kërkim.

Sipas komunikatës zyrtare të Policisë së Shtetit, specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin I. M., 40 vjeç, banues në Korçë. Ai u ndalua pasi u konstatua duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, duke rrezikuar sigurinë në rrugë.
Ndërkohë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për dy shtetas të tjerë.
A. M., 19 vjeç, banues në Sarandë, u procedua pasi gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike, Cannabis Sativa.
Po ashtu, procedim penal nisi edhe për shtetasin A. G., banues në Sarandë, pas kallëzimit të shtetases A. A., e cila deklaroi se ai ka tentuar të vjedhë një celular në dyqanin ku ajo punon.
Në vijim të veprimeve, Policia referoi materialet në Prokurori dhe shpalli në kërkim shtetasin A. P., 59 vjeç, banues në Sarandë, pasi dyshohet se ka kryer punime ndërtimi në hotelin e tij pa lejen përkatëse nga organet kompetente.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme ligjore.









