Banorët e fshatit Janjar në Bashkinë Konispol vijojnë të mbeten të izoluar për shkak të rrugës, e cila është në gjendje të mjerueshme.
Si pasojë e gjendjes së rrugës, e cila mund të kalohet vetëm me foristrada, rreth 200 banorët e fshatit përballen edhe me mungesën e mjekut të familjes, i cili ka më shumë se 2 vjet “pa shkelur” në fshat.
Kryetari i fshatit Neshat Mehmeti shprehet se për këto probleme janë ankuar në çdo institucion, por akoma nuk kanë një përgjigje.
Gjatë pushimeve verore shumë emigrantë nga Greqia kthehen për të vizituar fshatin dhe të afërmit. Ermal Zote ka ardhur i ftuar nga miqtë e tij në festën e takimit të brezave që zhvillohet çdo vit.
Pasi flet me konsiderata për banorët e fshatit, ai shprehet se miqtë e tij mjerisht jetojnë në një vend të harruar nga shteti.