22-vjeçari dhunohet pas dëshmisë në Prokurori, transportohet në Tiranë për mjekim
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në rrugën “Gjergj Araniti” në Sarandë, ku një i ri është dhunuar fizikisht nga dy persona. Viktima është identifikuar si Orgito Brehama, 22 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, i cili, sipas burimeve, sapo kishte dhënë një deklaratë në Prokurorinë e Sarandës para se të sulmohej.
Mësohet se Brehama është goditur me grushte, si dhe dyshohet se është qëlluar edhe me një dërrasë dhe një dorezë hekuri. Ai është dërguar fillimisht në urgjencën e Sarandës, por për shkak të plagëve është transportuar më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar.
Burime nga policia bëjnë me dije se ngjarja ka lidhje me një konflikt të mëparshëm të ndodhur më 2 janar 2025 në fshatin Gjashtë, ku pati përplasje të dhunshme dhe të armatosura mes disa personave.
Lidhur me ngjarjen e djeshme, policia ka bërë të mundur arrestimin në flagrancë të një prej autorëve të dyshuar, shtetasit Andrea Nanai, 20 vjeç, banues në Sarandë. Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit të tij.
Komunikata zyrtare e Policisë: “Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin A. N., 20 vjeç, banues në Sarandë, pasi më datë 29.04.2025, rreth orës 18:00, në lagjen nr. 1, Sarandë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në bashkëpunim me një shtetas tjetër ende të paidentifikuar, kanë goditur me grushte shtetasin O. B., 22 vjeç. Ky i fundit është transportuar për mjekim më të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.”
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb