68-vjeçari merret peng, një burrë e një grua e mbyllin në makinë dhe e kanosin për t’i marrë para

Dy persona kanë rënë në pranga në Elbasan, pasi kishin marrë peng një 68-vjeçar dhe e kërcënonin që t’u jepte një shumë parash.

Menjëherë pas kallëzimit të një shtetasi 68 vjeç, se për motive të dobëta, 2 shtetas i kishin hequr lirinë, duke e mbajtur për disa minuta, kundër vullnetit të tij, në një automjet, si dhe se ishte kanosur me qëllim dhënien e një shume parash, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan organizuan punën për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të 2 autorëve.

Si rezultat, në kuadër të operacionit policor të koduar “Përfitimi”, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga autorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit R. K., 57 vjeç, banues në Peqin dhe P. S., 47 vjeçe, banuese në Belsh.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti ku u mbajt 68-vjeçari dhe 3 celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

 

Please follow and like us:
fb-share-icon