‘Shtëpi bari’ dhe bazë armatimi për bandat, dalin EMRAT, ja kush janë të arrestuarit

Saranda News – Një shtëpi bari është zbuluar në Shijak të Durrësit. Në pranga ka rënë pronari i banesës, Fredi Krasniqi, ndërsa është shpallur në kërkim vëllai i tij Selman Krasniqi.

Policia ka zbuluar edhe një arsenal armësh brenda banesës, për të cilën thotë se dyshohet se i përket grupeve kriminale.

Çfarë u sekuestrua
444 bime narkotike
240 llamba elektrike
Arsenal armesh

10 kallashnikov
1 pushke
Granata dore
Jelek antiplumb
Municion luftarak

Deklarata e plotë

Jam sot këtu, me Zv/drejtorin e Policisë së qarkut, për Hetimin e Krimeve dhe me shefin e Komisariatit të Policisë Shijak, për të bërë prezente rezultatet e megaoperacionit policor të koduar “Krahët e krimit”.

Në zbatim të planit të masave, të hartuar nga Policia e Shtetit, me fokus  mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale, parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale të armëmbajtjes pa leje dhe të kultivimit të bimëve narkotike, në ambiente të mbyllura, me anë të llambave dhe në terrene të hapura, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës kanë zhvilluar operacione kontrolli, në terren, me qëllim evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Në përmbushje të detyrave të përcaktuara në këtë plan masash dhe në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme, të zhvilluara më parë,  bazuar në inteligjencën informative, se në një ambient (banesë), në fshatin Sallmone, Shijak, dyshohej se kultivoheshin bimë narkotike me anë të llambave dhe se mbahej i fshehur një arsenal armësh, i poseduar nga grupe kriminale, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Shijak, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një hetimi me metoda proaktive, kanë organizuar dhe finalizuar megaoperacionin policor të koduar “Krahët e krimit”.

Si rezultat i këtij megaoperacioni, në fshatin Sallmone, u zbulua  ambient (banesë 4-katëshe) i dyshuar në pronësi të vëllezërve F. K. dhe S. K.

Shërbimet e Policisë kanë konstatuar se kati i tretë dhe i katërt i kësaj banese, ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave. Gjatë kontrollit në këto dy kate, u gjetën dhe u sekuestruan 444 bimë narkotike kanabis, 222 llamba elektrike dhe pajisje të tjera  që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.

Gjithashtu, në vijim të megaoperacionit policor të koduar “Krahët e krimit”, bazuar në inteligjencën informative, se në këtë banesë mbahej i fshehur edhe një arsenal armësh, është ushtruar kontroll i imtësishëm në të gjitha ambientet e kësaj banese.

Si rezultat, në një ambient me mur të dyfishtë, në këtë banesë, është gjetur i fshehur një arsenal armësh, i përbërë nga 10 kallashnikovë, 1 pushkë, 1 automatik shars, granata dore, një hark luftarak, një jelek antiplumb, një palë dylbi dhe municion luftarak që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi F. K., 46 vjeç, banues në Sallmone, Shijak, si dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi S. K., 43 vjeç, shtetas me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e armëmbajtes pa leje. Vijon intensivisht puna për kapjen e tij.

Nga hetimet e kryera deri tani, si dhe bazuar në inteligjencën informative,  dyshohet se armët e gjetura në këtë ambient (banesë), mund të jenë fshehur nga pjesëtarë të grupeve kriminale.

Armët e sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për të përcaktuar nëse janë përdorur për ngjarje kriminale të ndodhura më parë.

Po nga hetimet, dyshohet se edhe kultivimi i bimëve narkotike mund të jetë financuar nga pjesëtarë të grupeve kriminale.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqsor Durrës, vijojnë veprimet e thelluara hetimore, për të dokumentuar me prova ligjore, autorësinë e vërtetë të pronësisë dhe të posedimit të armëve të zjarrit, si dhe të financimit të kultivimit të bimëve narkotike, me qëllim kapjen dhe nxjerrjen e autorëve përpara përgjegjësisë penale.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës garanton qytetarët se është tërësisht e angazhuar dhe e vendosur për të luftuar me zero tolerancë, krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi, duke bashkëpunuar ngushtë me agjencitë ligjzbatuese dhe me aleatin e saj kryesor, qytetarët.

Në këtë kuadër, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast paligjshmërie, si dhe të mbështetin edhe më shumë Policinë në punën e saj, me qëllim që bashkërisht të ndërtojmë një ambient sa më të sigurtë.

 

Please follow and like us:
fb-share-icon