KALAJA NË PORTO PALERMO – VIDEO

Kalaja ne porto palermo
Kalaja ne porto palermo

Kalaja në Porto Palermo është në një pozicion mjaft të bukur.

Në një gadishull në gjirin e vogël tektonik të Porto Palermos.

VIDEO https://www.youtube.com/watch?v=d7vU8LXz8Lo

Kalaja në Porto Palermo ndodhet jo larg fshatit Qeparo dhe ka formë trekëndore. Përmasat e saj janë 150 m x 400 m. Lartësia e mureve arrin në 20 m. Kalaja Porto Palermos ndodhet në gjirin me të njëjtin emër në bregun e detit Jon në Shqipërinë e jugut… Vetëm 45 km larg nga Saranda. Kalaja ndodhet mbi një ishull rreth 30 m larg bregut ku rripi i ngushtë ujor midis bregut dhe ishullit është mbushur me dhe e gurë për të realizuar një lidhje tokësore me të. Kalaja ka formë planimetrike trekëndore me tre bastione të fuqishme nëpër qoshet. Hyrja ndodhet në mesin e murit jugor.

Nga ana e detit, midis dy bastioneve një sipërfaqe në formë trapezi është rrethuar me mure të pajisura me frëngji. Pjesa tjetër e kështjellës përbëhet nga një numër i madh ambientesh të mbuluara me qemerë të cilat përfundojnë në pjesën e sipërme me një tarracë të përbashkët. Ambientet shërbenin për strehimin e garnizonit. Ndërsa njeri prej tyre shërbente si burg. Kalaja e Porto Palermos është një nga sarajet e shumta të strategut Ali Pashë Tepelena, të cilat ai jo pa qëllim i ndërtonte në pika strategjike.

Por kjo kështjellë, qëndron në mes të detit dhe legjendës. Ajo është ndërtuar nga Ali Pasha si një dhuratë për një nga gratë e tij, Vasiliqinë, të cilën, sipas kronikanëve të kohës, Pashai i Janinës e kishte shumë për zemër. Bukuria dhe madhështia e kësaj kështjelle ka zënë vend në shumë libra kushtuar Ali Pashës. Për të, ashtu si dhe shumë të tjerë, ka shkruar dhe Aleksandër Dyma, autori i Konti Monte Kristos.

Ku ndodhet dhe si shkohet në Kalane e Porto Palermo

Kalaja në Porto Palermo – Tashmë bukuria e kësaj kështjelle, e ndërtuar rreth dy shekuj më parë, e tëra me konstruksion guri, është një prej interesante për turistët dhe turizmin Shqipëtarë. Ajo ka fituar statusin “Monument Kulture “dhe është nën kujdesin e ainstitutit të Monumenteve të kulturës. Kështjellu u ndërtua nën kujdesin e arkitektit Petro Përmetari dhe të një arkitekti Italian. Sapo kalon Qeparoin ose Himarën, përballesh me një panoramë të mrekullueshme të detit… Dhe në mes si një ishull i vogël duket vendi ku është ndërtuar kështjella e Porto Palermos.

Ky emër i ka mbetur këtij gjiri nga koha e pushtimit të italianëve, të cilëve u kujtonte vendin e tyre, qytetin e Palermos në jug të Italisë. Ajo ndodhet në një gadishull që lidhet nga një rrip i ngushtë shkëmbinjsh e dheu me tokën. Kështjella ngrihet madhështore në ishullin e mbushur me një bimësi të ulët. Një rrugicë e ngushtë, ndërmjet kësaj bimësie të ulët nëpër gurë gëlqerorë… Që të shpien në derën e dhuratës së Pashait të Madh për të shoqen.

Dikur aty ka qenë një pllakë guri ku shkruhej: ”Unë Pashai i Madh, Aliu e ndërtova këtë kështjellë”. Por sot aty mungon mirëmbajtja dhe kujdesi për këto vepra të pa përsëritëshme të historisë sonë. Forma e dhomave, kolonave mbajtëse me harqe dhe disa kthina të vogla të bëjnë të kuptosh se dikur ajo ka qënë e banueshme. Tashmë aty asgjë nuk të kujton kohën e Ali Pashë Tepelenës.

Në hyrjen e disa prej dhomave kanë mbetur disa mbishkrime. Ato i takojnë kohës së komunizmit kur kështjella ka shërbyer si repart ushtarak. NAFTË, VAJ, ARMATIME si dhe emra ushtarësh të ndryshëm të gdhendur në muret e brendshme të kështjellës. Këto janë të vetmet shenja që kanë mbetur nga periudha kur saraji i Pashait të Madh ishte repart ushtarak funksional. Në dhomat ku ka dritare drita e diellit të tregon perlat e kështjellës.

Kalaja në Porto Palermo

– Ashtu në errësirë me pak imagjinatë mund të hysh në botën antike të Ali Pashë Tepelenës dhe njerëzve të tij. Aty ndodhet dhoma e Vasiliqisë, të shoqes së Ali Pashës… Dhoma e vetë pashait por dhe dhomat e njerëzve të tij të afërm. Në krahun e majtë ndodhet dhoma ku një herë e një kohë gjendej pusi. Një burim me ujë të ëmbël ka ekzistuar kohë më parë në këtë kështjellë. Por tashmë ka mbetur vetëm forma e pusit ku janë thyer disa gurë. Në krah të kësaj dhome ndodhet edhe hyrja për një nga tunelet e nëndhshme ku qëndronin të burgosurit e Ali Pashës, mbretit Zog dhe Enver Hoxhës.

Nga ana tjetër, janë shkallët për tu ngjitur në bedena, nëpërmjet një rruge të ngushtë nga ku hyn ajri i pastër i detit. Pamja që shfaqet nga bedenat e kështjellës është e rrallë. Prej aty duket i gjithë bregdeti si dhe Gjiri i nuseve, në të cilin, sipas legjendës, lahej nusja e Ali Pashës, Vasiliqia. Forma e tarracës tregon se në atë kohë ajo ishte një vend shumë i mirë për tu mbrojtur nga armiqtë. Aty ndodheshin topat luftarakë të Ali Pashë Tepelenës si dhe vendet ku qendronin ushtarët.

Kalaja në Porto Palermo – Bedenat bien menjëherë mbi det, si thikë, dhe legjenda thotë se aty përfundonin armiqtë e Pashait të Madh. Dhjetëra burra trima që kishin guxuar të sfidonin Ali Pashë Tepelenën kanë përfunduar në det… Ose janë përplasur në shkëmbinjtë që ndodhen poshtë bedenave. Forma e tyre tregon se ka qënë shumë e vështirë për ti pushtuar nga ana e detit. Në pranverë aty çelin lule të ndryshme. Fillimisht ajo u ngrit si një dhuratë, buzë detit, për të shoqen e Pashait, Vasiliqinë. sarandanews.net

 

Ky material u realizua nga Saranda Web falë mbështetjes së Media for All dhe Qeverisë Britanike

Please follow and like us:
fb-share-icon