Mbyllet reparti i Kirurgjisë në spitalin “Omer Nishani” në Gjirokastrës, pasi dyshohet se infermierët janë të infektuar me COVID-19. Mësohet se 20 infermierëve të këtij spitali u është marrë tamponi dhe pritet përgjigjia e tyre.
Ndërkohë, burime nga spitali i Gjirokastrës bëjnë me dije se reparti i Kirurgjisë është hapur, pasi është bërë dezinfektimi. Spitali sqaron se fillimisht është dyshuar për një infermier të infektuar, i cili ka bërë menjëherë testin ka dalë negativ. Ky i fundit është karantinuar në banesë.
Së fundmi koronavirusi është përhapur gjerësisht edhe në burgjet e vendit. Tashmë burgu i Shënkollit në Lezhë është kthyer në një spital COVID, ku po marrin mjekim 40 të burgosur të infektuar. Ambienti i këtij burgu, të kthyer tashmë në spital, ka mjekë, infermierë, pajisje mjekësore me të gjitha masat e marra për kurimin e Covid-19 dhe mbrojtjen e personelit mjekësor nga ky virus.
Sakaq, në Shqipëri rëndohet çdo ditë e më shumë bilanci i COVID-19. Gjatë orëve të fundit kanë humbur jetën edhe dy të moshuar dhe janë konfirmuar 156 raste të reja. Në total numri i viktimave ka shkuar në 324.