Britania e Madhe ka sanksionuar politikanët serbë të Bosnjës, Millorad Dodik dhe Zhelka Cvijanoviq, për shkak të përpjekjeve të tyre për të minuar legjitimitetin e Bosnje-Hercegovinës.
Sanksionet, të cilat përfshijnë ngrirje të aseteve dhe ndalesë në udhëtim, janë të parat kundër zyrtarëve në Bosnje, që bëhen të ditura nga Mbretëria e Bashkuar.
Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss ka akuzuar dy zyrtarët se janë trimëruar nga agresioni i presidentit rus, Vladimir Putin në Ukrainë.
Të dy politikanët janë duke minuar me qëllim paqen e fituar me vështirësi në Bosnje-Hercegovinë”, ka thënë Truss.
“Të inkurajuar nga Putini, sjellja e tyre e pamatur kërcënon stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor”.
Duke reaguar ndaj sanksioneve, Dodik ka thënë se do të ndërpresë marrëdhëniet me Mbretërinë e Bashkuar. Siç transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Dodik ka thënë se nuk brengoset për sanksionet, pasi nuk ka asnjë pronë në Britani dhe se nuk ka qenë atje tash e 10 vjet.