Zbulohet nga arkeologu Halil Shabani rruga e kalldrëmtë në grykën e Bogazit – VIDEO
Një segment rruge me kalldrëm është zbuluar nga arkeologu Halil Shabani, i cili thotë se i përket periudhës antike dhe Mesjetës. Ajo ndodhet në fshatin Shkallë të Bashkisë së Konispolit, pikërisht në vendin ku mbaron Gryka e Bogazit.
“Ka tregues ineresant, është një rrugë e kalldrëmtë gati 100 metra. Pjesa më e madhe e saj është e ruajtur mirë për shkak të terrenit malor dhe larg qendrës së banimit. Ka qenë përdorur për kalimin e karvanëve”, tha Halil Shabani, arkeolog.
Gjerësia e kalldrëmit dhe pozicioni gjeografik buzë lumit Pavla, në Grykën e Bogazit të bën të mendosh se rruga ka shërbyer për të lidhur qytetet antike Foinike, Çukën e Ajtojt dhe Nikopolin më në jug.
“Autorët të lashtë grekë e romakë kanë përshkuar këtë lidhje tregtie të qyteteve antike. Kjo rrugë i përket kohës së Mesjetës… Por mund ti përkasë dhe asaj Antike”, tha Halil Shabani, arkeolog.
Kjo rrugë ende nuk ekziston në arkivin e arkeologjisë shqiptare. Ndaj Shabani kërkon që institucionet të nisin studimet për përcaktimin e saktë të periudhës kohore.
Qyteti antik i Çukës së Ajtoit
Kodra mbi të cilën ndodhen rrënojat e Kalasë ndodhet 8 km në perëndim të Konispolit mbi fshatin Çiflik. Ajo ka formën e një koni me majë të hollë dhe është 350 m mbi nivelin e detit. Çuka e Ajtoit u vizitua për herë të parë nga misioni arkeologjik Italian gjatë fushatave të gërmimeve në Butrint. Gërmimet e para u kryen në vitin 1936, në fillim nga Ugolini dhe më vonë nga Markoni.
Dokumentacioni mbi rezultatet e germimeve humbi në një katastrofë ajrore. Është qendra e dytë e rëndësishme në këtë pellg. Ajo ngrihet në skajin juglindor të krahinës, në krahun e majtë të rrjedhjës së lumit Pavlla.
Në anën veriore ajo ka një rënie të theksuar shkëmbore, ndërsa në anën jugperëndimore zbresin tarraca të përshtatshme për banim.