Propozimi i Braçes: Burg kush djeg barishte dhe ferra pa lejen e bashkisë

Një Shqipëri pa shtëllunga tymi të zeza apo të bardha. Ky është parashikimi i një nisma ligjore të propozuar nga deputeti Erion Braçe, me qëllim për të përmirësuar imazhin e vendit në sytë e turistëve të huaj, por edhe për uljen e ndotjeve.

Braçe propozon disa ndryshime në ligjin e vitit 2004 për mbrojtjen e tokës bujqësore, duke ndaluar me ligji ndezjen e zjarreve në tokat bujqësore. Ndalohet edhe djegia e barërave, ferrave apo shkurreve. Ndalimi i zjarreve përfshin periudhën 1 prill deri në 1 nëntor. Për periudhën tjetër të vitit ky proces mund të kryhet vetëm me leje të njësisë vendore përkatëse.

Në lejen që jep bashkia për miratimin e djegies së barishteve dhe ferrave, duhet të specifikohet emri i personit që merr përsipër djegien; vendndodhja e sipërfaqes që do të digjet, data dhe orën kur do bëhet djegia, si dhe pëlqimi me shkrim i pronarëve të pronave në kufi me pronën ku do të kryhet djegia.

Projektligji parashikon ndalimin në çdo rast të ndezjes së zjarreve në zona të mbrojtura, në zona turistike, pika kufitare, pranë akseve rrugore kombëtare, gjatë natës, në distancë më të afërt se 2 mijë metra nga zonat pyjore, pranë karburanteve, fshatrave, në një sipërfaqe më të madhe se 1 mijë m2 brenda një dite si dhe kur fryn era shpejtësi mbi 20 km/orë.

Po çfarë ndodh kur pronarët e tokave apo persona të tjerë shkelin parashikimet e këtij projektligji? Seksioni i administrimit dhe mbrojtjes se tokës në këshillin e qarkut, kur konstaton zjarre pa leje dhe në periudhë të ndaluar, bën referim në prokurori për veprën penale të shkatërrimit të pronës.

Po cilat janë arsyet që rendit deputeti Braçe për propozimin e nismës ligjore?

“Zjarri krijon një imazh tejet negativ për vendin. Veçanërisht vizitorët e huaj të cilët nuk janë mësuar me pamje të tilla me zjarre e tym ngado, nuk e pranojnë që në periudhën me të rëndësishme të vitit ku ata duan të shijojnë pushimet, të përballen me ato pamje që ngjajnë si zona lufte. Zjarret dekurajojnë çdo lloj vizitori që dëshiron të vijë në vend. Është e rrezikshme për shëndetin, pasi zjarret në pamundësi për t’u kontrolluar, kanë rezultuar fatale edhe për vetë personat duke ju marrë jetën. Zjarri përveçse tokave bujqësore që digjen, rrezikon edhe pronat e tjera përreth apo në afërsi, duke i djegur ato, përfshirë edhe banesat. Shumë zjarre në pyje vijnë nga djegia e tokave bujqësore. Zjarret janë një problem i madh mjedisor, duke ndotur jo vetëm zonën ku ndodh djegia, por edhe atmosferën në përgjithësi, përmes shkarkimit të gazeve serë (CO2)”.

Please follow and like us:
fb-share-icon