FAKTOJE.AL – 4.6 milionë € për 1 km rrugë pa skarpata

4.6 milionë € për 1 km rrugë pa skarpata. Nga Esmeralda Topi, FAKTOJE.AL

Në një ditë të nxehtë të fillimkorrikut 2022, qeveria përuroi mes valleve dhe këngëve polifonike rrugën Kardhiq-Delvinë, edhe pse për taksapaguesit shqiptarë mund të mos ishte për t’u festuar fatura e kripur 4.6 milionë euro kilometri. Por 1 vit pas butaforisë që shoqëroi këtë përurim, verifikimet e Faktoje tregojnë se rrugës me kosto të artë i mungojnë elemente kyç për sigurinë. Autoriteti Rrugor Shqiptar ende nuk ka përfunduar skarpatat mbrojtëse të rrugës.

Me valle dhe këngë polifonike qeveria inauguroi më 2 korrik të 2022 përfundimin e rrugës Kardhiq -Delvinë, bashkë me tunelin e Skërficës.

“E kemi nisur në gusht të 2020 për ta përfunduar në 1 gusht të 2022 dhe ashtu siç premtuam ditën e hapjes e kemi përfunduar dy muaj më parë, për të qënë i gatshëm për sezonin e këtij viti.”, tha gjatë ceremonisë ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku teksa ecte përmes tunelit të Skërficës, krah kryeministrit Rama dhe ministres së Turizmit Mirela Kumbaro.

“Po këto do vishen me ndonjë gjë?’, pyeti kryeministri Edi Rama në dalje të tunelit të Skërficës, teksa vuri në dukje mungesën e skarpatave mbrojtëse.

“Do vishen me rrjetë …”, sqaroi kryeministrin drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi.

Një vit pas inagurimit

Rruga Kardhiq-Delvinë, 15 korrik 2023

Një vit pas inagurimit të bujshëm, Autoriteti Rrugor Shqiptar ende nuk ka përfunduar një nga elementët kyç të sigurisë rrugore, skarpatat mbrojtëse. Gjatë një verifikimi në datën 15 korrik të këtij viti, në një pjesë të rrugës Kardhiq-Delvinë po punohej për vendosjen e rrjetave mbrojtëse ndonëse është një zonë me reliev kodrinor dhe malor.  

Rruga Kardhiq-Delvinë, 15 korrik 2023

Siç mund të shihet dhe nga fotografitë në pjesën më të madhe të rrugës, skarpatet nuk janë të veshura me rrjetë mbrojtëse apo zgarë metalike. Pjesa më e madhe e rrugës ka të vendosura vetëm hekurat që shërbejnë për të fiksuar rrjetat mbrojtëse, por jo këto të fundit.

Përgjegjësia mbetet ‘jetime’

Edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar në një përgjigje për Faktoje pranon se punimet për sistemimin dhe rivitalizimin e skarpatave kanë mbetur pa u përfunduar.

‘Punimet që kanë mbetur pa u përfunduar ende në aksin rrugor Kardhiq – Delvinë janë kontrata ‘Ndërtim rruga Kardhiq-Delvine, Loti 8 (Sistemimi dhe Rivitalizimi i skarpatave)’ si dhe kontrata për ‘… Përmirësimi i segmentit rrugor Shijan – Ura e Gajdarit” me vlere 538.662.494 leke (me tvsh).’, thotë ARRSH.

Vonesat në përfundimin e punimeve ARSSH ia faturon Policisë së Qarkullimit Rrugor që sipas Autoritetit Rrugor ka pezulluar punimet për skarpatat gjatë dy sezoneve verore, 2022-2023.

‘Arsyet e vonesës së përfundimit të kontratës “Ndërtim rruga Kardhiq – Delvinë, Loti 8 (Sistemimi i skarpatave)” janë: pezullimi nga ana e Policisë së qarkullimit rrugor në periudhen e sezonit turistik veror 2022 (Korrik-Gusht). Pezullimi përsëri për shkak të sezonit turistik veror 2023 (Qershor-Gusht).’, argumenton ARRSH për Faktoje.

Justifikimet e ARRSH-së me Policinë Rrugore, të paktën për këtë sezon veror rrëzohen nga faktet. Në 15 korrik, gjatë verifikimit në terren nga Faktoje përgjatë rrugës Kardhiq -Delvinë, rezoltonte se po punohej për vendosjen e rrjetave mbrojtëse në një pjesë të aksit dhe nuk pamë asnjë polic t’i ndalonte punimet.

Rruga Kardhiq-Delvinë, 15 korrik 2023

Megjithatë, në përgjigjen për Faktoje, ARRSH liston si arsye për vonesën e përfundimit të skarpatave edhe rishikimin e projektit.

‘Akoma nuk është shqyrtuar në Këshillin Teknik. Është rikthyer për plotësim dhe saktësim të materialit.’, përfundon ARRSH.

Çfarë thonë ekspertët?

Ekspertët e sigurisë rrugore e shohin me shqetësim mungesën e mbrojtjes së skarpatave në aksin Kardhiq-Delvinë. Fatjon Softa thotë se vendosja e barrierave mbrojtëse është e detyrueshme pasi përbën rrezik për sigurinë e udhëtarëve.

“Shqipëria është vend i veçantë. Politika dominon mbi organet e zbatimit të ligjit. Asnjë rrugë që kryen punime, rikonstruksion apo e hapur rishtazi, nuk mund të lejohet nga policia të përdoret pa një dokument certifikimi dhe kolaudimi, qoftë edhe me infrastrukturë provizore. Masat mbrojtëse, rrjetat për rënien e gurëve në rrugë, barriera betoni për dherat, sinjalistika vertikale dhe horizontale janë obligatore.”, thotë Softa teksa shton se këto rrugë duhet të jenë objekt hetimi nga Prokuroria dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Edhe Studim Projektim i rrugës Kardhiq- Delvinë’ që ka siguruar Faktoje nënvizon rëndësinë që ka mbrojtja e skarpatave duke specifikuar edhe zonat më me rrezik.

“Rruga Kardhiq-Delvinë ka një gjatësi 33 km, projekti i mbrojtjes do jetë vetëm nga kilometri 0 deri në kilometrin 23, pasi vetëm kjo pjesë ka skarpata të larta dhe me rrezik nga rënia e materialit në trupin e rrugës, ndërsa pjesa tjetër nga kilometri 23-33, është zonë fushore dhe si rrjedhojë nuk kemi skarpata në gërmim.”

Kostoja e ‘artë’ për Kardhiq-Delvinë, 4.6 milionë euro për 1 km

Rruga Kardhiq –Delvinë ka një gjatesi 33 km, shtrihet në jug të Shqipërisë dhe përshkon rrethin e Gjirokastrës, Delvinës dhe Sarandës. Aksi fillon në Urën e Kardhiqit dhe mbaron në hyrje të qytetit të Delvinës.

Punimet për këtë rrugë nisën në vitin 2008 nga qeveria Berisha. 14 vite më pas, edhe pse vepra u inagurua si e përfunduar, verifikimet e Faktoje tregojnë se odisea e punimeve vazhdon.

Në total fatura e punimeve për ndërtimin e aksit rrugor Kardhiq – Delvinë arrin në 15,7 miliardë lekë me TVSH e barabartë me 154 milionë euro. Rruga ka një gjatesi 33 km, çka nënkupton se Autoriteti Rrugor Shqiptar ka paguar 4.6 milionë euro për një kilometër të një rruge me punime të papërfunduara.  FAKTOJE.AL

Please follow and like us:
fb-share-icon