Abuzimi 33 milionë euro me fondet e IPARD, “fermerëve” mashtrues u kërkohet kthimi i parave

Raporti i KE: Nga 47 milionë euro të dyshuara për abuzim në 7 vende, 33 milion janë në Shqipëri

Autore: Armela Toska

I skuqur nga dielli i kësaj vere, Met Salliu endet i shqetësuar arave të fermës së tij në Plug të Lushnjës, në përpjekje për të shpëtuar çfarë ka mbetur pas stuhisë së shirave të vjeshtës. Ka mbledhur sasinë e grurit dhe misrit në 2 hektarë tokë që ai punon gjatë vitit. Të ardhurat janë modeste dhe të pamjaftueshme për t’ia nisur me optimizëm vitin tjetër. Meti është i vetëm në betejën e tij, pa mbështetjen e asnjë institucioni shtetëror. Jo vetëm që nuk ka asnjë ndihmë por gjen në rrugën e tij të përditshme mjaft pengesa që vijnë për shkak të mangësive të funksionimit të shtetit. Nuk ka arritur asnjëherë të përfitojë subvencion nga programe si IPARD që propagandohen me aq pompozitet nga qeveria si sukses në sektorin e bujqësisë.  Ka tentuar të aplikojë në çdo thirrje që është hapur për këto fonde. “Sa herë që aplikoj, do më kërkojnë një dokument ose do më thonë që nuk kam plotësuar një nga pikat dhe kur pyes ç duhet të bëj, dalin procedura të ndryshme. Në fillim më kërkohej tapia e tokës me qera, pasi e gjeta më kërkuar kontratën e qiradhënies, më pas vlerësime që nuk bënin sens për projektin që po aplikoja. Edhe mbështetja me subvencione është e paktë, me naftë falas që është vetëm 5% e kostos së investuar për këtë vit për grurin që na mbeti i pashitur në stok” – shprehet fermeri i zhgënjyer.

Salliu vazhdon përpjekjen e tij, të paktën edhe sivjet ka vendosur të vazhdoj betejën me punën e mundimshme në arat e Plugut në Lushnje. Por vitin tjetër ai beson se do të shohë mundësinë për të emigruar bashkë me familjen.

“Plani jonë për vitin tjetër është ti mbledhim veglat dhe të largohemi jashtë. Nëse nuk do i shesim veglat, do i marrim me vete dhe do punojmë atje, sepse të paktën jashtë jepet mbështetja pa byrokraci të mëdha,” thotë i zhgënjyer Salliu.

Dashamir Çela, është një banor i fshatit Samaticë në Berat, një blegtor me përvojë të gjatë. Një vit më parë ai u largua drejt emigracionit pasi falimentoi. Familja Çela mbylli fermën e gjedhit me të cilën siguronte jetesën dhe u nisën si emigrant drejt Gjermanisë.

Ishte zvarritur mes betejash e përpjekjesh për shumë vite duke siguruar me vështirësi të ardhurat për familjen me fermën e gjellit. Një vit më parë ai vendosi të ndalojë përpjekjet i bindur se e ardhmja do të ishte më e vështirë. Dashamirit iu refuzua mbështetja me subvencion nga programi IPARD për një detaj honorifik që kishte të bënte me distancën e stallës nga banesa.  Drama e Dashamirit është si ajo e shumë fermerëve shqiptarë, që po detyrohen të largohen, pasi nuk arrijnë të mbijetojnë me aktivitetin e tyre. Për fermerët e vegjël në Shqipëri, ky program është një mundësi e artë për të aplikuar për mbështetje përmes fondeve të Bashkimit Evropian për bujqësinë.

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ)  ka kontaktuar dhjetëra fermerë të vegjël ose të mesëm nëpër Shqipëri në përpjekje për të gjetur një histori suksesi. Dhe theksuar se shumica absolute e tyre nuk kanë asnjë akses në programin IPARD apo edhe në të tjera që propagandon me bujë qeveria. Pas kërkimit të gjatë kontakteve me fermerë të mesëm,  më në fund u gjend një histori suksesi që finalizohet me investime një makinerie për të punuar tokën.

Një traktor është dhuratë e çmuar për një fermer që ka kaluar shumë mundime e sfilitje duke punuar me parmende tokën për shumë vite. Tefik Zdrava, fermer nga fshati Dasar në Elbasan është në listën e fermerëve që kanë mundur të përfitojnë nga fondet IPARD.

“Jam marrë me bujqësinë që kur u prish sistemi i vjetër. Kemi mbjellur grurë, misër dhe me produkte të tjera bujqësore. Ishte sfidë e madhe për ne kur punonim tokën pa mjete, punonim me mjete primitive si parmendë dhe qe,” shprehet ai.

Mundësitë për të blerë një makinë bujqësore i erdhi vetëm pasi aplikoi në programin e IPARD II, ku me fondin e përfituar mundi të rriste edhe tokën e kultivuar.

“Aplikova te programi dhe mu aprovua si kërkesë, mund të rrisë tokën e kultivuar dhe të blejë një traktor. Kam përfituar një zetor dhe një frer. Prodhimi tani është më cilësor dhe më i lartë në krahasim me kohën e mëparshme.

Nëse më parë bëja 30 kuintal, sot bëj më shumë se 100 kuintal grurë për shkak se mundësia është më e mirë. Kjo vetëm nga fondet e BE-së.”- thotë fermeri i lumtur.

PROGRAMI IPARD DHE HIJET E KORRUPSIONIT

Programi IPARD financohet nga BE në Shqipëri përmes fondeve IPA. Instrumenti i Para-Anëtarësimit (IPA) është një mekanizëm i krijuar nga BE për t’i ofruar ndihmë Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, si mbështetje për procesin e anëtarësimit të këtyre vendeve në familjen evropiane. Shqipëria ka përfituar nga ky Instrument per vitet 2014-2020, 639.5 millionë euro.

Në vitin 2022, 82.6 milionë euro dhe në vitin 2023, 80 milionë euro. Programet e Ndihmës për Para-Anëtarësim (IPA) janë një burim i rëndësishëm për vendet kandidate dhe potenciale të Bashkimit Evropian për të forcuar kapacitetet e tyre dhe për të zhvilluar sektorët kyç. Në shumë raste, kanë qenë subjekt i shqetësimeve në lidhje me potencialin për abuzim dhe korrupsion.

Në korrik të 2023, BE vendosi pezullimin e fondeve për shkak të një hetimi për korrupsion nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit OLAF.

“Komisioni Evropian ka informuar qeverinë shqiptare se ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II,” – deklaroi zyra e BE.

Në gusht të 2023, OLAF i ka dorëzuar autoriteteve shqiptare raportin përfundimtar për fondet e IPARD II, dhe janë në pritje të përgjigjes nga autoriteti kompetent.
“Ndjekja është në vazhdim, por raporti nuk është bërë publik, pasi bërja publike, qoftë edhe pjesërisht, mund të rrezikojë procedurat vijuese – theksohet në sqarimin e zyrës OLAF.

Në bazë të Rregullores (BE, Euratom) Nr. 883/2013², OLAF heton rastet e dyshimit të mashtrimit, korrupsionit dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme të dëmshme për buxhetin e BE-së.

Frida Krifca,  ishte drejtuese e AZHBR-së në vitet 2017-2021. Kur plasi skandali prej hetimit të OLAF, Krifca ishte ministre e bujqësisë dhe u përpoq ta relativizonte problemën gjatë një fjalimi në Kuvend.

“Janë kryer 3 vite hetime administrative, por nuk ka prodhuar ende sot një raport të gjetjeve. Kemi bashkëpunuar me OLAF në hetim dhe mirëpresim çdo rekomandim për korrigjim që ta zbatojmë për të përmirësuar më tej proceset,” tha Krifca.

Në fondet e IPARD III, ishin programuar të disbursuara në Shqipëri rreth 146 milionë euro për periudhën nga viti 2021 deri në 2027. Fondet e programuara tashmë nuk janë të sigurta nëse do mund të përfitohen.

Sipas AZHBR-së, programi IPARD II ishte gjithsej 94 milionë euro në total, nga të cilat 71 milionë euro ishin financime të BE. Gjatë zbatimit të tij nga viti 2014 deri më 2020, u arrit të disbursohen 54,3 milionë euro. Në 4 thirrjet e programit kanë përfituar 510 aplikues, 82 prej tyre janë gjetur me shkelje dhe 17 prej tyre u është kërkuar kthimi i fondeve mbrapshtë.

Zyrtarët e lartë që menaxhuan fondet e programit IPARD propaganduan në kohë suksesin e madh por në terren situata është ndryshe, shumë prej fondeve kanë shkuar për bujtina, hotele apo nuk janë fare në funksion të bujqësis apo blegtorisë në vend.

PEZULLIMI I FONDEVE NGA BE GODITJE FATALE PËR SEKTORIN, BUXHETI I SHTETIT I PAPËRGATITUR

Projektbuxheti për viti 2024 është ulur. Kjo ulje është një goditje e madhe, në një kohë që fondet nga BE janë pezulluar dhe Ministria e Financave nuk programon dot fonde për programin IPARD të paktën deri në vitin 2025.

Dhe nëse situata vazhdon në të njëjtën mënyrë me fondet nga BE, mund të themi me siguri që për vitin 2024 dhe 2025 nuk priten disbursime nga programet IPARD.

Buxheti i ministrisë në këto nivele që është kërkon edhe të paktën 90 milionë euro për të mbajtur në minimumet e mundshme mbështetjen e sektorit privat,” pohon Agim Rrapaj, kryetari i Këshillit të Agrobiznesit.

SKANDAL I MADH PA PËRGJEGJËS?

Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2022, pasqyron shifra konkrete të abuzimit me fondet si në Shqipëri ashtu edhe në vendet e tjera të Ballkanit.

“Parregullsitë që janë zbuluar në shfrytëzimin e fondeve të BE për bujqësinë në Shqipëri të raportuara për vitin 2022, kapin vlerën e  33.5 milionë euro. Kjo shumë është 2.5 herë më e lartë se shuma prej 13 milionë eurosh që nuk është përdorur në mënyrë të rregullt nga 6 shtete të tjera në Ballkan, përfshirë Turqinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Malin e Zi, Bullgarinë dhe Rumaninë”, theksohet në raportin e KE-së për vitin 2022.

Sipas këtij raporti, shtatë shtetet e Ballkanit dyshohet se janë përdorur përmes abuzimit 47 milionë euro. Nga këto, 33 milionë euro i përkasin Shqipërisë, ose 71% e shumës totale të dyshuar nga OLAF, si fonde që janë përdorur me abuzime.  29% e shumës së abuzuar i takon 6 vende të tjera të BE-së.

Në qershor të vitit 2020, Zyra Evropiane kundër Mashtrimit, OLAF,  i kërkoi prokurorisë shqiptare të angazhohet, duke paraqitur një kërkesë për hetim të thelluar të përdorimit të fondeve nga AZHBR. ACQJ i ka kërkuar prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë informacione lidhur me ecurinë e hetimit. Në përgjigje të kërkesës tonë, prokuroria sqaron se për këtë çështje është shpallur moskopetencë dhe është kaluar në SPAK.

“Mbi bazën e materialit të ardhur për kompetencë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë  të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka regjistruar procedimin penal  nr.7471 te vitit 2022,  për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve“ dhe “Shpërdorimi i detyrës“,  të parashikuara nga nenet 186 dhe 248 i Kodit Penal, pa autor.

Më datë 02.10.2023 është shpallur mos kompetenca dhe dosja është dërguar për hetime të mëtejshme përsëri në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, theksohet në përgjigjen e Prokurorisë së Përgjithshme.

ACQJ ka kërkuar gjithashtu informacione nga SPAK lidhur me hetimin për dyshime që lidhen me abuzime të mundshme me fondet e IPARD. Deri në momentin që po publikohet ky artikull, nuk ka mbërritur një përgjigje nga SPAK.

PROBLEME ME FONDET TË IPA-SË JO VETËM NË SHQIPËRI

Korrupsioni dhe abuzimi me fondet e IPA-së janë sfidë e përbashkët në të gjitha shtetet e Ballkanit.

Sipas raportit të vitit 2022 të OLAF, shqyrtimi i 36 hetimeve mbi vendet e Ballkanit Perëndimor ka treguar se problematikat me fondet e IPA-së janë të përhapura. Maqedonia e Veriut ka pasur 18 raste hetimi, Serbia 9 raste, Bosnje-Hercegovina 3 raste, dhe Kosova 3 raste. Raporti tregon se problemet janë lidhur me fondet e dhëna për periudhën 2021-2022 dhe janë një dukuri e përgjithshme në rajon.

Në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2022, numri i parregullsive jo-mashtruese dhe ato financiare ka pësuar një rritje të jashtëzakonshme. Parregullsitë kryesisht kanë qenë nën 10,000 euro dhe janë lidhur me programin IPARD në Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë. Shqipëria ka kontribuar në rritjen e shumave financiare me parregullsitë në lidhje me programin IPARD.

Raporti i BE-së përmend se rreth 10% e parregullsive të zbuluara janë raportuar si mashtruese. Kjo përqindje ka pësuar ndryshime, me një rritje në vitin 2020 (17%) dhe kulmin në vitin 2021 me 20%.

Marrë nga Albanian Center for Quality Journalism.

Please follow and like us:
fb-share-icon