Policia greke ka sekuestruar një ngarkesë shumë të madhe droge pasditen e djeshme. Pas informacioneve të siguruara, policia ka ndaluar një furgon në aksin Patra-Athinë, konkretisht në vendin e quajtur Kiato.
Brenda mjetit janë gjetur dhe sekuestruar 145 pako me 195 kg 60 gram marijuanë. Në pranga ka rënë drejtuesi i mjetit, 67 vjecari Andonis Panagiotopoulos.
Nga hetimet rezulton se mjeti ishte ngarkuar në kufirin e gjelbër shqiptaro-grek. Mjeti i transportit rezulton i vjedhur në Athinë në 13 shtator 2023, ndërkohë që i ishin vendosur targa false XZP 1586.
Policia ka sekuestruar telefonin celular të drejtuesit për të zbuluar komunikimet e tij. Llogaritet që fitimi nga trafiku i kësaj ngarkese të shkonte rreth 600 mijë euro. 67 vjecari i arrestuar rezulton njëkohësisht person i shpallur në kërkim, i dënuar nga Gjykata e Janinës me 8 vjet burg dhe 10.000 euro gjobë për trafik droge.
Ai është dërguar në Komisariatin e Korinthit ndëkohë që hetimet i zhvillon Prokuroria e këtij qyteti. Mësohet se ai do të paguhej 200 euro për kilogram dhe lëndën narkotike do e dorëzonte tek një shtetas shqiptar i cili është identifikusr dhe shpallur në kërkim.