KUMBARO NGA SARANDA: PO JU MBYT PISLLËKU, DUHEN MASA PËR PËRBALLIMIN E FLUKSIT TURISTIK – VIDEO

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në vijim të tureve inspektuese në bregdet, u ndal në Sarandë, shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Oltion Çaçi, ku theksoi se këtë sezon beteja është më e vështirë për shkak të flukseve të larta turistike, prandaj kërkoi angazhimin e policisë bashkiake dhe të gjitha strukturave të pushtetit lokal 24 orë në 24 për mbarëvajtjen e sezonit veror..

“Po bëjmë një punë të madhe përgatitore me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe Bashkinë e Sarandës për të organizuar gjithë sezonin bregdetar që është edhe pjesa më e vështirë e këtij viti. Mendoj që ka ardhur koha që policia bashkiake të luajë rolin që i takon për mirëmbajtjen e mjedisit duke ushtruar monitorim, kontroll, por edhe ndëshkim. Nuk do t’ia dalim dot nëse nuk kemi bashkëpunimin e të gjithëve, por edhe nëse nuk tregohemi të rreptë me marrjen e masave. Nuk ka tolerancë këtu, sepse është fytyra jonë, është fytyra e Shqipërisë”, tha Kumbaro.

 

 

Kryetari i bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi u shpreh se këtë sezon, për shkak të flukseve më të larta se vitet e kaluara, duhet të jenë edhe masat më të shtuara jo vetëm për pastërtinë, por edhe për mobilitetin e qytetit.

“Policia bashkiake sapo ka bërë marrëveshje me Ministrinë e Brendshme për marrjen e kompetencave të vendosjes së gjobave, sidomos për mobilitetin e qytetit. Shifrat janë 30% më të larta këtë vit, që do të thotë 30% më shumë mbetje, 30% më shumë mjete, prandaj jemi të detyruar të marim masa.”

Kumbaro shtoi se këtë vit sfida me mbetjet dhe inertet do të jetë më e madhe në të gjithë vendin.
“Është sfida jonë në të të gjithë Shqipërinë. Kemi tre vite që e themi që Shqipëria është çdo ditë e më e pastër, por unë besoj që sfidën më të madhe do ta kemi për shkak të fluksit turistik. 10.1 milionë turistë pritëm vitin e kaluar dhe kemi qenë në një betejë me çdo kosh, me çdo qese dhe sidomos me inertet.”

Ndërkohë Agjencia Kombëtare e Bregdetit që do të mbështesë bashkinë e Sarandës në menaxhimin e mbetjeve gjatë muajve të pikut të sezonit, nga data 15 qershor deri më 15 shtator, duke dyfishuar kapacitetet pastruese të Sarandës.

saranda web

 

Please follow and like us:
fb-share-icon