Hetimet zbulojnë më shumë: Kush është i përfshiri në trafikun e armëve në Sarandë? – VIDEO

Hetimet zbulojnë
Hetimet zbulojnë

Hetimet zbulojnë më shumë: Kush është i përfshiri i ri në trafikun e armëve në Sarandë?

 

Pas dy muaj hetimesh intensive, Prokuroria e Sarandës ka identifikuar një person të tretë të përfshirë në çështjen e trafikut të 10 pistoletave të sekuestruara në aksin Kardhiq-Delvinë. Prokurorja Hava Memko ka lëshuar një urdhër arresti për Fabian K., 25 vjeç nga Këlcyra, duke kërkuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë. Ky urdhër është miratuar nga gjyqtari Mikel Hysometaj.

I dyshuari u arrestua nga policia e Përmetit të enjten dhe është transferuar në Komisariatin e Sarandës për t’u përballur me drejtësinë. Paraditen e së shtunës, Gjykata e Sarandës i ka komunikuar masën e sigurisë të caktuar më herët, ndërsa gjyqtari Hysometaj konfirmoi zbatimin e saj, duke mos konstatuar asnjë rrethanë të re që të ndryshonte vendimin fillestar.

 

 

 

Ngjarja daton më 13 shtator, kur policia ndaloi një automjet tip “Nissan” me targa AA827SV në aksin Kardhiq-Delvinë. Gjatë kontrollit, në mjet u gjet një qese plastike që përmbante 10 pistoleta të markës “Glock”, së bashku me 150 fishekë dhe 250 euro, të gjitha të sekuestruara në cilësinë e provave materiale.

Në atë kohë u arrestuan dy të rinj nga Këlcyra, Klaudio Osmani, 23 vjeç, punonjës në zjarrfikës, dhe Mehmet Canaj, 24 vjeç. Hetimet fillestare sugjeruan se armët ishin destinuar për Sarandën, por mbetet e paqartë nëse do të trafikoheshin drejt Greqisë apo do të shiteshin në qytet.

Identifikimi i Fabian K. si bashkëpunëtor i dy të arrestuarve erdhi pas hetimeve të mëtejshme nga Prokuroria e Sarandës. Megjithatë, për shkak të sekretit hetimor, detajet e plota mbi rolin e tij në këtë trafik armësh mbeten të rezervuara.

25-vjeçari nuk pranoi të jepte deklarata gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë. Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për të zbardhur plotësisht këtë rrjet trafiku.

Please follow and like us:
fb-share-icon