Hyri në një shtëpi dhe doli prej saj me 5,000 euro, por prangoset pas disa orësh
Stacioni i Policisë Konispol ka arrestuar në flagrancë shtetasin R. L., 25 vjeç, nën akuzën e vjedhjes në një banesë në fshatin Shalës. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të natës, më datë 4 dhjetor 2024.
Sipas burimeve të Saranda Web, 25-vjeçari hyri në banesë dhe arriti të marrë një shumë parash, e cila, sipas pronarit të banesës, ishte rreth 5,000 euro.
Në momentin e ngjarjes, pronari i shtëpisë ndodhej në një dhomë tjetër e cila është e veçuar nga shtëpia dhe e vërejti të dyshuarin në momentin kur ai po largohej nga shtëpia. Menjëherë pas ngjarjes, ai njoftoi kryetarin e fshatit dhe policinë.
Autoritetet arritën të lokalizojnë dhe arrestojnë të dyshuarin brenda pak orësh.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa po hetohet për të zbuluar nëse i riu është i përfshirë në ngjarje të tjera të ngjashme.