Ardit Bido reagon ndaj deklaratës së Belerit: “Mos luani me identitetin e qytetarëve për fushatë”
Kandidati për deputet i PS Ardit Bido, ka reaguar pas një deklarate të Fredi Belerit, ku ky i fundit u shpreh se “minoriteti grek në Himarë është i dëmtuar” për shkak të ndalimit të tij për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bido i drejtohet indirekt kryetarit të një partie të djathtë në vend, duke e pyetur nëse është e drejtë që drejtësia shqiptare të shihet si problem për minoritetin grek, vetëm sepse ajo ka ndërhyrë ndaj një individi të caktuar.
“Që kur drejtësia shqiptare u bë problem për minoritetin? Apo vetëm kur prek aleatët e tu?”, shkruan ai, duke shtuar se përdorimi i çështjes së identitetit dhe përkatësisë etnike për qëllime elektorale është shqetësues.
Bido ngre edhe një sërë pyetjesh mbi zonat që shpesh përmenden si pjesë e minoritetit grek, duke përmendur vende si Nivica, Shën Vasili, Lukova, Piqerasi, Borshi, Fterra, Dhërmiu e Palasa, dhe pyet nëse këto janë realisht zona me minoritet grek apo vetëm përdoren për qëllime elektorale.
“Apo për interesa elektorale e bëni etninë me listë votimi?”, vijon ai.
Sipas tij, nëse vazhdohet të luhet me identitetin e qytetarëve në këtë mënyrë, reagimi i tyre nuk do të vijë si “grekë” apo “shqiptarë”, por si qytetarë me dinjitet.
Në fund të reagimit, Bido shprehet: “Ti merre lavdinë me Belerin, ne merremi me punën”, duke nënvizuar se angazhimi i tij është për një Parlament të shqiptarëve, pa dallime të nxitura politikisht.
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb