“Albstar”: Kemi ca probleme teknike, punimet në Sarandë do i shtyjmë 6 muaj

“Albstar” përgjigje këshilltarëve: “Kemi probleme teknike, do kërkojmë shtyrje 6 muaj të punimeve në Sarandë”

Kompania “Albstar” i ka kthyer përgjigje anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Sarandës lidhur me kërkesat e vazhdueshme të tyre për vonesat në rikonstruksionin e qendrës dhe rrugëve të qytetit. Përgjigja zyrtare ka mbërritur ditën e sotme tek Këshilltarët Bashkiak, por ajo që vihet re në kokë të saj, është fakti që ajo mban si datë 1 marsin, pra vetëm një ditë pas mbledhjes së Këshillit Bashkiak Sarandë. Nuk dihet arsyeja e kësaj vonese për të vënë në dijeni këshilltarët, pasi letra atyre i’u ka shkuar nga Sekretaria e Këshillit e jo nga vetë firma.

Pavarësisht kësaj duket se firma e quan jo përgjegjësi të vetën kthimin e përgjigjes, por si autoritet relatues përcakton Drejtorinë përkatëse në Bashkinë Sarandë.

Prapësëprapë, ajo çka vihet re në përgjigjen me 11 pika të kompanisë “Albastar” është fakti që vetëm 3 ditë nga nisja e punimeve në qendrën e qytetit, pikërisht në 18 maj 2023, ka qenë Bashkia Sarandë ajo që ka pezulluar punimet. Bëhet fjalë vetëm 4 ditë pas zgjedhjeve lokale, kur Bashkia drejtohej ende nga Ardian Gurma. Siç shpreher firma në letrën e saj: “Në datë 18 Maj 2023 jemi pezulluar nga Bashkia Sarandë duke na hequr nëpërmjet Policisë Bashkiake edhe llamarinat e rethimit të kantierit tek Parku Miqësia pjesë e projektit të rikualifikimit të rrugës Skënderbeu”.

Por duket se pezullimi i Bashkisë nuk është i vetmi problem lidhur me këtë projekt të lidhur mes Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe kompanisë “Albstar” sh.p.k.
Sipas përgjigjes drejtuar këshilltarëve Bashkiakë, “kontraktori nuk disponon azhornim të infrastrukturës nëntokesore të qytetit të Sarandës. Duke qenë se jemi në një zonë urbane, rrjeti i infrastrukturës nëntokësore është tepër problematike për ecurinë e punimeve të gërmimit”. Ajo çka bën me të rëndë situatën është pika 10 e përgjigjes ku citohet: “Projekti ka pasaktësi teknike dhe mos rakordim me preventivin e punimeve, për këtë qëllim kemi kërkuar zgjidhje teknike dhe ekonomike, duke qenë se jemi katër palë në këtë projekt duke përfshirë edhe përfituesin”.

Si konkluzion i kësaj, firma vë në dijeni Këshilltarët Bashkiakë të Sarandës se do të kërkojë shtyrje të punimeve me 6 muaj duke cituar se “për shkak të vonesave nga pezullimet e sipërpërmendura, jemi në negociata me investorin për shtyrje të afatit të punimeve me 6-muaj”.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Sarandës pati debate të forta mes këshilltarëve dhe supervizorit të sjellë nga firma për t’iu përgjigjur kërkesave të Këshilltarëve lidhur me vonesat në punime. Debatet mes tyre precipituan deri në ofendime çka çoi në ndalimin e diskutimit të asaj pike në rendin e ditës. Këshilltarët nga ana tjetër kanë ushtruar presion të vazhdueshëm prej muajsh ndaj Bashkisë Sarandë dhe firmës kontraktore, pasi në qytet është krijuar kaos nga hapja e kantiereve në disa rrugë njëherësh duke krijuar vonesa në mbylljen e punimeve që kanë sjellë mbingarkesë të trafikut por edhe rënie drastike të xhiros ditore në dhjetra subjekte tregëtare. Vonesat në mbylljen e punimeve mund të shkaktojnë probleme edhe me sezonin turistik, duke ditur që flukset e pushuesve vendas dhe të huaj nisin prej mesit të dytë të muajit prill, edhe pse sinjalet e ardhjes së pushuesve në Sarandë janë dhënë që në javën e parë të marsit, ndryshe nga vitet e tjera.

Please follow and like us:
fb-share-icon