AMP thirrje qytetarëve: denonconi sjelljet e pahijshme të punonjësve të Policisë – VIDEO

AMP zhvilloi një fushatë promovuese në Sarandë, Ksamil dhe Delvinë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore zhvilloi një fushatë promovuese në Sarandë, Ksamil dhe Delvinë, në kuadër të bashkëpunimit me publikun për zbatimin e ligjit me qëllim vetëpastrimin e Policisë së Shtetit.

Përfaqësuesit e AMP-së, të shoqëruar nga Këshilltari i Lartë për Llogaridhënien Policore nga Programi ICITAP në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Z. Rick Bates, theksuan nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë agjenci-publik.

Takime të dobishme u zhvilluan në shkollat e mesme; “Hasan Tahsimi” në Sarandë, “Sulejman Delvina” në Delvinë dhe shkollën e mesme të bashkuar “5 Dëshmorët”, Ksamil, ku gjatë bashkëbisedimeve të hapura, nxënësit shprehën opinionet e tyre në lidhje me punën e Policisë së Shtetit, sigurisë në shkolla dhe komunitetin ku ata banojnë.

Në vijim, përfaqësuesit e AMP-së zhvilluan takime me qytetarë që udhëtonin përmes Pikave të Kalimit Kufitar “Porti Sarandë” dhe “Qafë Botë”. Gjatë këtyre takimeve u prezantuan mënyrat e ndryshme të kontaktit me agjencinë, në funksion të realizimit të misionit të saj, por edhe për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit me qytetarët.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nxit të gjithë qytetarët të denoncojnë rastet e abuzimit, shkeljes së ligjit apo sjelljeve të pahijshme nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, apo shërbimit Zjarrfikës me qëllim rritjen e performancës nga ana e këtyre strukturave.

Please follow and like us:
fb-share-icon