Anketa në Saranda Web: 88% e qytetarëve janë të pakënaqur me furnizimin dhe cilësinë e ujit

Me gjithë premtimet e herë pas hershme për garantimin e furnizimit 24 orë me ujë dhe heqjes së depozitave nga pallatet, edhe në 2022 ky premtim nuk është realizuar. Pavarësisht reformave dhe aksioneve të kryera, duket se mungesa e investimeve nuk ka bërë të mundur rritjen e sasisë dhe cilësisë së ujit.

Vit pas viti dhe fushatë pas fushate përmendet një projekt për furnizimin me ujë të bollshëm nga Burimet e Tatzatit, premtim i cili harrohet menjëherë pas zgjedhjeve për t’u rikujtuar si premtim në fushatën pasardhëse.

Për të kuptuar sa më drejt gjendjen e furnizimit me ujë dhe nevojat e qytetarëve, Saranda Web ftoi qytetarët për të dhënë mendimin e tyre, thirrje së cilës iu përgjigjën me plotësimin e formularit 125 persona, ndërsa të shumta ishin edhe komentet në publikimin në rrjetet sociale, pothuajse nga të gjitha zonat e Sarandës, madje edhe vizitorë. 75% e të anketuarve ishin nga Saranda, 12% nga Delvina dhe 11% nga Ksamili.

58.4% e të anketuarve u përgjigjën se furnizimi i tyre me ujë është më pak se 4 orë në ditë, ndërsa 19% 1 herë në disa ditë. Situata më e rëndë është në Sarandë dhe Ksamil, ku 83% e të anketuarve shprehen se furnizohen me ujë deri në 4 orë në ditë ose 1 herë në disa ditë.

Gjithashtu qytetarët e Sarandës dhe Ksamilit kanë ankesa edhe për cilësinë e ujit. Vetëm 5% e të anketuarve e vlerësojnë ujin të pijshëm, ndërsa pjesa tjetër nuk e konsumojnë për të pirë ose thjesht pinë ndonjëherë.

Qytetarët e Sarandës dhe Ksamili nuk janë të kënaqur në lidhje me furnizimin dhe cilësinë e ujit në çezmat e tyre. Sipas anketës në Saranda Web, 93% e qytetarëve të Sarandës dhe Ksamilit nuk janë të kënaqur me furnizimin dhe cilësinë e ujit, ndërsa në Delvinë gjysma e qytetarëve janë të kënaqur, ndërsa gjsma tjetër janë të pakënaqur me furnizimin dhe cilësinë e ujit.

Në Konispol situata është krejtësisht ndryshe: Furnizimi me ujë është 24 orë dhe cilësia e tij vlerësohet i pijshëm.

Please follow and like us:
fb-share-icon