Ardit Bido: Unë jam lab, por Çamëria na përket të gjithëve ❤️
Kandidati i Partisë Socialiste në qarkun Vlorë, Ardit Bido, ka marrë pjesë në aktivitetin përkujtimor me rastin e 34-vjetorit të themelimit të “Shoqatës Patriotike Atdhetare Çamëria”, dega Sarandë, ku ka theksuar rëndësinë e bashkimit dhe respektit për të gjitha komunitetet e trevës së Jugut, duke veçuar kontributin dhe sakrificën e shqiptarëve të Çamërisë.
“Unë jam lab, por Çamëria na përket të gjithëve” – u shpreh Bido, duke përcjellë një mesazh bashkimi dhe përkushtimi për të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë, një kauzë të cilën ai ka mbështetur prej vitesh.
Ardit Bido falënderon kryetarin e shoqatës “Çamëria” në Sarandë, z. Rexhep Ismaili, si dhe kryetarin e nderit, inxhinierin Hekuran Halili, për ftesën dhe mikpritjen në këtë ngjarje me rëndësi historike dhe kombëtare.
“Kjo shoqatë është e para që u regjistrua pas rënies së regjimit komunist, me misionin për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë” – thekson Bido, duke nënvizuar rolin e saj si zëri i parë institucional në mbrojtje të kësaj çështjeje.
Ai vlerësoi gjithashtu praninë e përfaqësuesve të shoqatës “Labëria”, të shoqatës “Tomorri”, të “Shoqatës së Egjiptianëve të Sarandës” dhe të shoqatës “Hasan Tahsini”, si një dëshmi e harmonisë dhe bashkëjetesës së komuniteteve në Sarandë, Delvinë dhe Konispol.
“Jam i lumtur që pata mundësinë të takoj miq të mirë, dhe që në këta 17 vite të jetës sime publike aktive kam mbrojtur të drejtat e të gjitha komuniteteve të kësaj treve, me një përkushtim të veçantë për shqiptarët e Çamërisë” – përfundon Bido, duke riafirmuar angazhimin e tij për mbrojtjen e të drejtave dhe identitetit të komunitetit çam dhe gjithë bashkëkombësve në jug të vendit.
Website Saranda Web
Facebook Saranda Web
Instagram saranda.web
Youtube sarandaweb
Tiktok saranda.web
Pinterest sarandaweb
in sarandaweb