Butrinti fiton 3-0 ndaj Devollit dhe mban gjallë garën për vendin e parë
.
Butrinti i Sarandës ka arritur një fitore bindëse 3-0 ndaj Devollit në stadiumin “Andon Lapa”, në një ndeshje shumë të rëndësishme për kampionatin e Kategorisë së Dytë, Grupi B. Me këtë sukses, skuadra sarandjote vazhdon të mbetet një nga pretendentet kryesore për kreun e renditjes.
.
.
Goli i parë i takimit u shënua në minutën e 27-të nga Mërkuri, i cili i dha avantazhin Butrintit që në pjesën e parë. Në fraksionin e dytë të lojës, ekipi i Sarandës rriti ritmin dhe arriti të dyfishojë rezultatin në minutën e 52-të me Culli, pas asistit të Mërkurit. Sulmuesi Culli ishte sërish protagonist në minutën e 75-të, kur realizoi edhe golin e tretë për Butrintin, këtë herë pas një pasimi nga Diop, duke vulosur përfundimisht fitoren 3-0.
.
.
Pas kësaj jave, situata në renditjen e Grupit B mbetet shumë e luftuar. Oriku i Vlorës kryeson me 37 pikë pas fitores 4-2 ndaj Delvinës, ndërsa Butrinti ngjitet në kuotën e 34 pikëve në 15 ndeshje, duke ndarë vendin e dytë me Bylis B që fitoi 2-0 ndaj Maliqit. Pas tyre renditet Partizani B me 31 pikë, pas barazimit 1-1 me Shkumbinin.
.
Kjo fitore e mban Butrintin plotësisht në garë për vendin e parë, ndërsa diferenca me kreun mbetet vetëm tre pikë. Me disa ndeshje ende për t’u luajtur deri në fund të sezonit, gara për kreun e renditjes në Kategorinë e Dytë, Grupi B pritet të mbetet e hapur dhe shumë interesante.
.
Tifozët sarandjotë që ndoqën ndeshjen në stadium dhe përmes transmetimit LIVE në Saranda Web patën mundësinë të shohin një paraqitje shumë të mirë të ekipit vendas, i cili konfirmoi edhe një herë ambiciet për këtë sezon.
.









