Sot, Zyra e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) përcaktoi shtatë individë dhe një ent në katër vende të Ballkanit Perëndimor, bazuar në Urdhrin Ekzekutiv (E.O.) 14033.
Ky është vendimi i dytë që OFAC ka ndërmarrë bazuar në E.O. 14033 dhe që shënjestron persona të cilët kërcënojnë stabilitetin e rajonit përmes korrupsionit, aktivitetit kriminal dhe sjelljeve të tjera destabilizuese.
Vendimi i sotëm përforcon përkushtimin e Thesarit për të nxitur llogaridhënien për aktorë të përfshirë në sjellje destabilizuese dhe korruptive në rajonin e Ballkanit Perëndimor. E tillë sjellje korruptive minon sundimin e ligjit dhe rritjen ekonomike, si dhe iu mohon njerëzve në këto vende mundësi dhe stabilitet.
“Personat e përcaktuar sot përbëjnë një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal, besimin në institucione dhe aspiratat e atyre që kërkojnë qeverisje demokratike dhe të shëndoshë në Ballkanin Perëndimor”, tha Nën-Sekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson.
“Lufta kundër korrupsionit në mbarë botën është përparësi kryesore e administratës Biden-Harris dhe Thesari nuk do të ngurrojë të përdorë të gjitha mjetet që kemi në dispozicion për të mbajtur përgjegjës aktorë të korruptuar dhe destabilizues”