Debati për Butrintin, Mata: Nuk do ta privatizojmë, do ta bëjmë si “Davosi”

Projekti për administrimin e parkut të Butrintit do të bëhet duke respektuar sovranitetin e shtetit, pronën edhe trashëgiminë botërore. Fondacionit nuk i lejohet të privatizojë as Butrintin dhe as një aset të Shqipërisë, detyra jonë është të ndihmojmë, me modele, para dhe njohuri për shërbime më të mira dhe produkte më të mira. Fondacioni do të rrijë aty derisa ky model të bëhet i qëndrueshëm. Në ëndrrën tonë, është që Butrinti të bëhet Davosi i trashëgimisë kulturore”. Kështu deklaroi mbrëmjen e sotme në një intervistë ekskluzive në Abc News me gazetarin Endri Xhafo, bashkëdrejtuesi i Fondacionit Shqiptaro Amerikan (AADF) Martin Mata.

Debati në opinionin publik u rikthye pas kritikave të Auron Tares mbrëmjen e djeshme në Abc News, që e cilësoi idenë e projektit të menaxhimit si precedent të rrezikshëm, sipas tij, për shkak se jepet në një dorë të huaj. Por Mata, u përgjigj duke theksuar qartë dhe prerë se fondacioni nuk ka qëllim marrjen me koncesion të Butrintit. “Fondacioni shqiptaro amerikan nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëherë në qëllimin e vet as privatizimin, as marrjen me koncesion dhe as administrimin e Parkut të Butrintit. Marrëdhënia që ka Fondacioni me Shqipërinë është e mirërregulluar deri në detaje” tha ai.

Por cili është interesi i këtij fondacioni për të investuar? “Nuk është interes i veçantë te parku i Butrintit, portofoli i fondacionit janë rreth 40 mln dollarë që në 10 vitet e fundit ka hedhur në përmirësim, ruajtje dhe zhvillim të vlerave të trashëgimive. Doni të flisni për pazaret e Shqipërisë ku janë investuar, biletaritë, etj. Është konceptimi dhe propozimi si do të ndikosh dhe modeli që do të sjellësh. Nëse shkon sot në Pazarin e Tiranës, Krujës, Gjirokastrës, nesër te Piramida, është modeli që kemi sjellë. Ne ndihmojmë sjellim praktikat më të mira, detyra jonë është të dalim në botë dhe të shikojmë modelet që kanë funksionuar” tha ai.

I pyetur nga gazetari Endri Xhafo se çfarë po ndodh me planin e menaxhimit për Butrintin të bërë nga eksperti i trashëgimisë kulturore, Giora Solar në 2014, Mata tha se një pjesë e tij është zbatuar. “Planet e menaxhimit janë si rrobat e fëmijët, rritet fëmija dhe t’i duhet t’i blesh rrobat që i shkojnë për shtat fëmijës. Butrinti ka pasur dy plane menaxhimi më parë. Një pjesë e mirë e planit të 2014 është zbatuar nga administrata, nën vëmendjen tonë duke monitoruar, në dijeninë time janë harxhuar 500 mijë dollarë. Sot në Butrint nëse shkon gjen gjeneratorin, kamera sigurie, biletaria elektronike. Të ardhurat janë rritur me 250%. Eshtë rritur numri i vizitorëve me 20% dhe të ardhurat me 250%. Butrinti ka gati 250-300 mijë vizitorë dhe edhe nëse ne duam ta çojmë 500 mijë apo një milion, nuk e bëjmë dot se aq kapacitet ka vetë siti”. Menaxhimi, vazhdon Martini, “nuk ka të bëjë me shtimin e numrit të vizitorëve, por rritjen e cilësisë së shërbimit“.

Martin Mata siguroi se shteti nuk lihet mënjëanë, përkundrazi në krye të procesit është Ministria e Kulturës. “Shteti nuk lihet në mënjanë. Butrinti ka nevojë të menaxhohet mirë dhe të jetë një vlerë e shtuar në këtë kurorën e madhe të trashëgimisë botërore. Shansi që kemi është që të kontribuojmë që të menaxhohet më mirë dhe kemi rënë dakord. Ne do të ndihmojmë për sjelljen e modeleve më të mira që janë në botë, menaxhime të pavarura. Në Shqipëri është sjellë një model që ofron shumë, duke lënë në krye të procesit ministrinë e Kulturës, një model që deri më sot Butrintit nuk e ka pasur”.

Por cfarë parashikohet konkretisht? “Qeveria dhe parlamenti duhet ta marrin këtë plan në të cilin propozohet kjo skemë e administrimit e mirërregulluar në legjislacionin shqiptar, dhe të sigurohet që këto të ardhura jo vetëm që shtohen, por i japin mundësi Butrintit që të rritet në treg, nëse do të konkurrojë. Shansi i Butrintit është që të konkurrojë me Italinë, Greqinë”.

Për të ilustruar këtë, ai mori një shembull. “Në momentin që vijnë anijet e udhëtimet dhe shkarkojnë 1500-2000 turistë, i gjithë procesi nga shkarkimi derisa vihen në radhë është një torturë në vete dhe përpara hyrjes së Butrintit bëhet Kandahar. Plani i menaxhimit ofron zgjidhje për t’i adresuar këto cështje. Ka parë mundësinë të ngrihet një qendër vizitorësh jo te dera, por një km larg. Menaxhim do të thotë të korrësh barin, të sigurohesh që ka drita, banjo, ju e dini që laheshin me ujë deti banjot”.  Pyetja që shtrohet është se si do të menaxhohet? Bashkëdrejtuesi i Fondacionit Shqiptaro Amerikan (AADF) Martin Mata sqaron se “Do të krijohet një njësi administrimi, mund ta quajmë fondacion u takon ligjvënësve ta quajnë si të duan. Nuk ka tjetërsim, parku është i shtetit shqiptar”.

Më pas në vijim të bisedës në studion e Abc News, Martin Mata tregon edhe planet e investimit. “Në dy plane, ne do të japim para, miliona dollarë, për 5 vitet e ardhshme. Plani i menaxhimit thotë dicka, ka brenda edhe një plan biznesi. Butrinti ka nevojë për 7 milionë dollarë. Në dijeninë time tani gjeneron 500 mijë dollarë. Të ardhurat nga biletat nuk mjaftojnë për mirëmbajtjen. Detyra jonë është që ne duam dhe mund të ndihmojmë me fonde dhe këto do të monitorohen dhe do të ekzekutohen në atë që është rënë dakord. Ne do të kemi prezencën tonë për t’u siguruar se këto para harxhohen për këtë dhe jo për gjë tjetër”. Punonjësit që do të jenë pjesë e fondit të menaxhimit do të varen nga kjo njësi që do të krijohet.

Plani për Butrintin, Mata tregoi se është dërguar edhe në UNESCO. “Ne planin e menaxhimit e çuan në UNESCO, reagimi i saj ishte që më në fund pas 20-25 vitesh jemi duke parë një plan për të cilin kemi punuar fort. Në UNESCO shkuam me ekipin e ministrisë së Kulturës duke qenë se ishim potencialisht donatori strategjik. Interesi i UNESCO ishte të njiheshin nga afër cfarë interesi ka fondacioni për të hedhur paratë. Në ëndrrën tonë, është që Butrinti të bëhet Davosi i trashëgimisë kulturore”.

Në fund, Mata u pyet se çfarë ndodh me fondacionin “Butrinti”, i cili është një organizatë bamirëse e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar, e themeluar në Janar 1993 nga Lord Jacob Rothschild dhe Lord John Sainsbury dhe këto vite ka pasur qëllim ruajtjen dhe zhvillimin e sitit për të mirën e publikut, tani që do të krijohet njësia e re e administrimit? “Nuk e dimë, është një marrëdhënie e tyre, nëse e mbyllin apo duan ti bashkëngjiten kësaj nisme, e vërteta është që kanë shprehur interes” përfundoi ai. db/Abcnews.al

Please follow and like us:
fb-share-icon