Deklaratë e kandidatit të Partisë Demokratike për kryetar të Bashkisë Sarandë Ardit Cikuli
Të dashur bashkëqytetar!
Paraprakisht dua të theksoj qëndrimin tim të palëkundur për rritjen e kapacitetit dhe cilësisë së arsimit në Bashkinë Sarandë. Gjithësesi askush nuk mund të abuzojë, pasurohet apo korruptojë vullnetin qytetar në emër të nevojës së qytetit për kushte më të mira në arsim.
Sot, pa asnjë plan paraprak, pa asnjë konsultim publik dhe as me komunitetin e prindërve të rreth 1100 fëmijëve që arsimohen në shkollën “Adem Sheme” kanë nisur punimet për rikonstruksionin e saj. Lajm i mirë vëmendja te arsimi, por lajm i keq abuzimi që bëhet në emër të nevojës. Lajm i keq sepse shkolla filloi të restaurohet në mes të sezonit arsimor, pa asnjë paralajmërim as për stafin mësimdhënës dhe as për prindrit. Nga ky projekt i pa konsultuar, i pa organizuar dhe dukshëm për efekte elektorale, nxënësit e shkollës “Adem Sheme” janë shpërndarë në 3 ambjente të ndryshme, në ambjente jo ekzaktësisht të përshtatshme për ta, duke mos marrë parasysh nevojat e tyre dhe mundësite e prindërve.
– Pse Bashkia Sarandë po investon sot dhe jo gjatë verës ku nxënësit dhe personeli janë me pushime verore?
– Pse të mos bëhen punimet me 2 turne në verë por çojnë fëmijët tanë me 2 turne në shkollë tani?
– Pse Bashkia Sarandë po investon më shumë se 700 mil leke në një shkollë e cila nuk plotëson kriteret ligjore të përcaktuara për standardet inxhinierike sipas eurokodeve të ndërtimit të veprave publike?
– Pse duhet të investohen kaq shumë para për të rikonstruktuar një shkollë e cila është ndërtuar në vitin 1960 dhe 1 kat i është sajuar me shtesë në vitin 1998 dhe të mos rindërtohet shkolla prej fillimit?
– Pse Bashkia Sarandë nuk po e investon këtë fond te shkolla Ekokampus për të cilën janë investuar miliona euro nga taksat tona që prej vitit 2015 ( mbi 3.3 mld leke te vjetra ose 2.9 mil euro ) dhe sot po amortizohet sepse s’ka banka dhe dërrasa?
– Pse nuk vihet në funksion një shkollë e re e ndërtuar, por lihet peng i mungesës së bangave dhe dërrasave të zeza?
– Pse bashkia po hesht për një shkollë e cila duhet të ishte me nxënës që prej sezonit shkollor të 2017?
– Mos ndoshta po i ndryshohet destinacioni kësaj shkolle për tu shitur diku e për tu transformuar në hotel? Mos ndoshta është kjo arsyeja?
Bashkia e njeriut që të pret në zyrë me makinë llogaritëse, që ka transformuar institucionin e popullit në bunker nuk mund të tallet pacipë me cipën e asflatit elektoral që hedh në rrugët e qytetit tonë apo bojën me të cilën do të lyejë shkollën “Adem Sheme” e cila në respekt të fëmijëve tanë dhe emrit që mban duhet të rindërtohet nga fillimi.
Të nderuar bashkëqytetarë ne sot reagojmë se duam që fëmijtë tanë të mirëarsimohen me dinjitet.
Reagojmë sepse fëmijtë tanë po trajtohen si plaçka. Reagojmë për taksat tona që po shpërdorohen.
Reagojmë për Sarandën tonë e cila nga kampione kulture dhe arsimi për gjithë. Shqipërinë po degradon në qytetin kampion të tenderave me flamurë të kuq dhe aferave korruptive.
Të nderuar bashkëqytetarë po ju kërkojmë dhe juve :
Reagoni si qytetarë ;
Jepni dinjitet fëmijve tuaj;
Jepni dinjitet familjeve tuaja;
Jepni dinjitet qytetit tonë.
Ne sot protestojmë për këtë akt vandal ndaj fëmijve tanë. Bashkohuni me ne!