Delvinjotët që ruajnë dhe trashëgojnë traditat, si ato të punimeve artistike, punimeve me dorë janë mbledh bashkë në një panair që synon promovimin e turizmit. Kjo është një ftesë e hapur për turistët e shumtë të bregdetit që përpos Sarandës të njohin dhe Delvinën.
Vetëm 17 km larg qytetit të Sarandës, ndodhet Delvina me resurse historike e natyrore. Gjatë kësaj jave është zhvilluar panairi “shije delvinjote” me qëllim tërheqjen e turistëve të shumtë që vizitojnë bregdetin.
Në panair, artizanët prezantuan veshjet tradicionale, punime me dore, ndërsa një vend të veçantë zuri dhe kulinaria e zonës.
“Siç e shikoni qyteti është mbushur me banorë të ardhur nga emigracioni dhe turistë. Kemi vendosur të gjitha ato figura të rëndësishme të kulturës dhe sportit, tezga të artizanëve delvinjotë, mjeshtrat tanë kanë sjellë produkte të larmishme. Gjithashtu, kemi sot në vëmendje sazet e Delvinës, kulturës që është trashëguar. Do të doja shumë që gjithë turistët që kanë ardhur në Sarandë të vijnë edhe në Delvinë. Rruga Kardhiq-Delvinë mundëson shpejt ardhjen në Delvinë”., shprehet kryetarja e Bashkisë Majlinda Qilimi.
Në ditët festive në Delvinë, përveç prodhimeve të artizanëve dhe gatimeve të zonës, prezentë ka qenë dhe muzeu lëvizës me veshje tradicionale.
“Ne lëvizim në qytete të ndryshme të vendit për të prezantuar traditën tonë. Interes për të parë muzeun kanë kryesisht të huajt”, u shpreh artizanja Edlira Sulaj.
Midis zonave që duhen vizituar në Delvinë janë Xhamia e Gjin Aleksit, shtëpitë karakteristike, Ura e Çinës, monument kulture i shekullit 18-të që dikur lidhte zonën e Labërisë me Bregdetin si dhe burimet e lumit Kalasë. Report TV
VIDEO https://youtu.be/UczOwAO0B6g