Të nderuar bashkëqytetarë! Kishim besuar, në respekt të ligjit, se përballja elektorale e 14 majit dhe ditët e fushatësqë do ta paraprinin atë do të vinin përballë kandidatë, alternativa politike, programe elektorale dhe projekte zhvillimore që në kushte të barabarta do të shkonin tek zgjedhësit, do të dialogonin me ta dhe ata si qytetarë të lirë, pa trysni, pa shantazh, pa makinacione do të bënin zgjedhjen e tyre në të mirë të mirëmenaxhimit të qytetit.
Por, pas tenderave elektoralë nga të gjitha institucionet e pushtetit, në nivel kombëtar, rajonal dhe vendor, pas premtimeve bombastike për rritje pagash dhe pensionesh me gojën e vet kryeministrit në kundërshtim me kodin zgjedhor, pas fryrjes së stafeve dhe borderove me punonjës me kontrata sezonale, ditën e djeshme dhe të sotme pamë me sytë tanë sesi nxënësit e shkollave dhe mësuesit e tyre u përdorën, në shkelje të ligjit mbi arsimin, për promovimin e kandidatit të Partisë Socialiste për Bashkinë Sarandë,Dje Festivali Folklorik Rajonal “Gurra Folk Fest” në Kalanë e Lëkurësit me pjesëmarrës nxënës nga shkollat e rajonit u përdor nga institucionet organizatore për t’i dhënë mbështetjen kandidatit të katapultuar, në përpjekje për të kompensuar mbështetjen e munguar edhe nga vetë anëtarët dhe simpatizantët e partisë së tyre.
Sot ishte radha e mësuesve të shkollave të qytetit të cilët përdoren politikisht dhe kësisoj cënohen në dinjitetin dhe autoritetin që duhet të kenë në misionin e tyre fisnik për edukimin e brezave të rinj të këtij qyteti. Përdorimi i individëve me një pozicion të caktuar në shoqëri në këtë qytet për t’i kuadruar brenda një fotoje në mediat sociale bashkë me kandidatin e imponuar është denigruese për ta dhe nuk mund ta zbus dhe jo më ta çbëjë faktin që kandidati nuk e njeh qytetin, nuk mund të identifikohet me asnjë qytetar dhe se sa pak i njeh problemet dhe hallet, nuk njeh të shkuarën dhe nuk ka për të patur të ardhme.
Në emër të Partisë Demokratike dhe Koalicionit “Bashkë Fitojmë” denoncojmë këto veprime në kundërshtim me ligjin, madje zyrtarisht do t’i përcillen edhe Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe KQZ-së, dhe ftojmë qytetarët që pa frikë dhe me besim tek demokracia t’i kthejmë këto zgjedhje në një manifestim të vlerave më të larta qytetare dhe të lirë dhe të pandikuar të bëjmë zgjedhjen më të mirë për drejtuesit e rinj të bashkive tona pas 14 majit.