Emërohet drejtuesi i ri politik i Partisë Demokratike për Qarkun Vlorë. Pas dorëheqjes së Bujar Leskaj nga funksioni i drejtuesit politik të Partisë Demokratike për qarkun e Vlorës, kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka caktuar në këtë rol ish-deputetin Aurel Bylykbashi.

Bylykbashi, i cili për disa mandate ka përfaqësuar qarkun e Elbasanit në Kuvendin e Shqipërisë, merr kështu përgjegjësinë për organizimin politik të PD-së në qarkun e Vlorës. Emërimi i tij vjen në një moment kur struktura lokale e partisë po përgatitet për zgjedhje të brendshme.
Dega e Partisë Demokratike në Vlorë ka njoftuar se më 15 mars do të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e degës. Ndërkohë, procesi i zgjedhjeve në degët lokale ka nisur tashmë në disa zona të qarkut. Në Sarandë, zgjedhjet për kryetarin e degës së Partisë Demokratike u zhvilluan rreth dy javë më parë.
Zhvillimet e fundit vijnë në një periudhë riorganizimi të strukturave të Partisë Demokratike në disa qarqe të vendit. Saranda Web









