Estrada Profesioniste e Sarandes / 60-vjetori i një Trupe, sot të munguar

Estrada Profesioniste e Sarandes / 60-vjetori i një Trupe, sot të munguar
Estrada Profesioniste e Sarandes

Estrada Profesioniste e Sarandes / 60-vjetori i një Trupe, sot të munguar

Estrada Profesioniste e Sarandes – Çdo trupë teatrale profesioniste ka historikun e vet të krijimit. Dhe kur themi historikun, nuk kuptojmë vetëm rrugën në të cilën i është dashur të kalojë  trupa e Estradës së Sarandës, por edhe vështirësitë që i kanë dalë dhe problemeve që shtronte koha nëpërmjet tematikës së trajtuar. Sepse Estrada si gjini e manovrueshme, që i përgjigjej situatës flakë për flakë, bënte të mundur që në fokusin e saj të vendoste problemet aktuale të shoqërisë e të politikës, qofshin ato lokale apo kombëtare.

Estrada Profesioniste e Sarandes në datën 2 prill 2022 përkujton 60 vjetorin e krijimit të saj në 2 prill të vitit 1962. Ky krijim erdhi si rezultat i një lëvizjeje teatrale amatore të zgjeruar në qytet, qysh prej viti 1926 me nismëtarin Neço Muka, artist me dhunti të rralla në disa gjini arti. Ku pas çlirimit të vendit në qytetin tonë u vu re një shtim i grupeve amatore, në spikatjen grupi amator i Shtëpisë së Kulturës nga i cili u vunë në skenë disa pjesë dramatike të kohës si dhe premiera të tipit të varietesë me skeçe e materiale të shkurtra humoristike.

Kjo lëvizje solli në mënyrë të natyrshme lindjen dhe krijimin e trupës së estradës profesioniste më 2 prill 1962, me premierën e saj të parë ”Nëpër Sarandë “më një material letrar e muzikor që afirmonte realitetin pozitiv të kohës, si dhe kritikonte tipat dhe dukurit negative që vihesh re.

Estrada Profesioniste e Sarandes – Aktoret

Ndër aktorët dhe muzikantët themelues që u përzgjodhën nga elementët e talentuar të lëvizjes teatrore ishin: Koçi Vasi, Illo Martiko, Kiço Kapedani, Jorgo Nano, Bedrie Tahiraj, Xhemile Sheme, Liri Sejdo, Tuli Bajrami, Thoma Xhupa. Drejtues muzike Theofan Nako, Regjisor Dhimitraq Lepuri. Në vitin 1964 filloi punë si regjisor i ardhur mbas mbarimit të Akademisë së Arteve dega e dramës Thoma Milaj i cili vuri premierën e parë të tij “E kemi fjalë ne “dhe më pas realizon disa shfaqe të suksesshme që tërhoqën vëmendjen e spektatorëve për humorin e spikatur dhe profesionalizmin në konceptimin dhe ndërtimin e tyre si “Parada e Xhevaireve” e “Pakot Fluturuese”.

Me ardhjen e aktorëve të talentuar si Theofil e Violeta Haxhijani, Polikseni Hajdho, Lek Mosi, Haki Spaho, Teli Duka, Gastere Shkurti dhe muzikantet Thoma Gjoni e Adem Daci, këngëtarët Fani Kumbuli, Lafter Agora, Pëllumb Zotaj, Gani Doko, Gëzim Meçani, përpos një materiali interesant për kohën, me gjetje të mprehta humoristike u vu re përdorimi i gjerë i llojit të parodisë, kupletit e skeçit të muzikuar, një prirje kjo e theksuar e regjisorit Milaj po thuajse në çdo premierë, e cila në vitet që pasuan u bë lajtmotivi i tij krijues që së bashku me komeditë muzikore e orientuan gjithnjë e më shumë trupën e estradës drejt pranisë së madhe të llojeve humoristike që gërshetonin në mënyrë të harmonishme materialin letrar me atë  muzikor, çka ndikoi dukshëm në profilin e saj të veçantë dhe origjinal në rang kombëtarë.

Ndër premierat më të suksesshme të realizuara nga estrada ne  vitet 65,75, kanë qenë: “Posta Ekspres”, “Urimet” “Urdhëroni në anijen tonë” “Në shkallët e Sarandës” “Buqeta” “U themi Ndalë tjera. Në vitet 80, tipari dallues i estradës ka qenë vënia në skenë e disa komedive muzikore si “Ditë plot diell”, “Me plot dëshirë”,” Alarm në postëkomandë” e “Flokë dëbore në prill “që lanë mbresa te spektatori i kohës duke u bërë shembull edhe për trupat e tjera për freskinë, bukurinë e cilësinë me pjesëmarrjen e shumë personazheve, këngëtarë, korit, orkestrës, shumica amatorë, me muzikë të kompozuar enkas për to në varësinë e vokalit që dispononte trupa.

Duke ruajtur natyrën e saj në vitet që pasuan trupa jonë spikati për një sërë premierash të tipit variete, ku elementi muzikor në interpretimin e materialeve humoristike mbetej nga më të parapëlqyerat, duke u bërë pjesë e natyrshme e shfaqjeve. Paroditë, kupletet dhe skeçet e muzikuara ishin prezent ne çdo shfaqe sa që nuk mund të konceptohej nga publiku mungesa e tyre.

Estrada Profesioniste e Sarandës – Historik

Ardhja e aktorëve dhe instrumentistëve që mbaruan Akademinë e Arteve në vitet 80 dhe në vazhdim si Josif Papagjoni, Vangjel Agora, Karafil Shena, Kalie Gugu, Luiza Xhuvani, Zef Mosi, Kostaq Nika, Teuta Gaçi, instrumentistët Pajtim Hodri, Tomi Stefanidhi, Andrea Rafti, Bexhet Shena, Bektash Mamuçi, Namik Xhaferi, Dhimo Jani, këngëtarët Irini Qirjako e Telemak Papapano si dhe aktorë e këngëtarët amator të apasionuar e të talentuar si Liri Tare, Katerina Zoto, Lida Kalivopulli, Adelina Skëndaj, Dhimitër Dhrami i dhanë freskinë trupës dhe rritën nivelin artistik te saj, duke kontribuar në profilin e plot muzikor në përballimin e një ngarkese voluminoze muzikore në realizimin e premierave të estradës dhe aktiviteteve të shumta të organizuara nga Shtëpia e Kulturës.

Një kontribut të rëndësishëm krahas regjisorit Milaj ka dhënë dhe drejtuesi i orkestrës, kompozitori Thoma Gjoni duke krijuar dhe përballuar një volum të madh pune me këngëtarët dhe orkestrën. Po në ato vite spikati dhe humoristi e libretisti Enver Isufi me vargjet humoristike të kupleteve, parodive, skeçeve të muzikuara dhe komedive muzikore. Në repertorin e materialeve letrare kontribut kanë dhëne dhe krijuesit e qytetit tonë si Piro Mosi, Josif Papagjoni, Arben Iljazi, Zaho Vasili, Vangjel Agora, Haki Spaho, A.Nika. Përveç këtyre materiali letrar dhe muzikor sigurohej edhe nga krijues më në zë të vendit si P.Kulla, K. Shehu, F.Laro, K.Devole,  A.Prodani, L.Disdari, M.Leka të cilët me shumë kënaqësi ofronin krijimet e tyre për trupën.

Dekori i premierave si një komponent i rëndësishëm i shfaqjes është realizuar fillimisht nga piktorët Stiljan Buzi, Vasil Kaçi e Vangjel Gjini dhe në pjesën më të madhe dhe më të suksesshme nga skenografi Lefter Çeko që me gjetjet, detajet dhe trajtimin profesional e vendosi këtë komponent të rëndësishëm të shfaqjes në baza profesionale. Në vitet 90 trupa jonë e estradës mori pjesë në të gjitha takimet kombëtare e regjistrimet televizive të kohës duke u prezantuar denjësisht. Ajo është fituese e takimit kombëtar të Estradave të zhvilluara në viti 1977 me komedinë muzikore ”Me plot Dëshirë”. Për kontributin dhe vlerat e saj artistike është vlerësuat me titullin “Naim Frashëri” të klasit të 2. Pas viteve 90 si rrjedhim i ndryshimit të sistemit e kufizimeve financiare, reduktimit të personelit dhe vështirësive të njohura të tranzicionit, ashtu si të gjitha trupat e tjera të vendit, trupa jonë e humbi gjallërinë, duke u zvogëluar në mënyrë të ndjeshme.

Disa nga aktorët kryesorë, këngëtarë e muzikant u larguan në emigracion jashtë vendit, Por pavarësisht nga largimet dhe vështirësitë e ndryshme, formacioni artistik i mbetur brenda Qendrës Kulturore nën drejtimin e regjisorit Vangjel Agora arriti  të mbijetojë e të justifikojë veten duke sjellë para artdashësve çdo vit deri në vitin 2012 dy premiera estrade dhe aktivitete të ndryshme artistike kulturore  me raste festash dhe ngjarjesh. Gjatë atyre viteve u vunë në skenë një numër i konsiderueshëm premierash  ku veçohen: “Dashuria mes humorit dhe pentagramit”, “Kjo punë kështu e ka..o fiton e ha..”, ”Zaret u hodhën”, Vjehrra pakës me barrë”, “Një vërë në ujë”,” Shakaja gjysma e së vërtetës”,” Qylaf labi mban gaztori”, ”Ëndërr apo Zhgjëndërr” premiera televizive “Humor nëpër Sarandë 1,2” e tjer.

Në të gjitha këto premiera kanë spikatur aktorët Haki Spaho,Pranvera Brinja, Flamur Oruçi, Valentina Boçi, Ilir Nikolla, Neim Avdia, Gëzim Muço. Instrumentistët A. Halili, Z. Brinja, M. Papagjoni, B. Mamuçi, E. Çeçi, Pandi dhe Fredi Camandioti, këngëtarët Perlat Merko, Orest Kovi, Bianka Vasku, Lida Jaupi, Dashamir Xhemali, Sara Duro,Kristina Barzuka,Loreta Mato, Vanesa Sono e tjer, nën drejtimin e drejtuesit të orkestrës Bexhet Shena. Gjatë gjithë atyre viteve në premierat e estradës ka zen vend problematika e kohës, humori fin, kënga popullore e ajo moderne.

Janë aplikuar forma të reja të aktrimit me një humor e qasje satirike dhe prani domethënëse të konvencioneve skenike. Premierat janë karakterizuar nga një koncept me sens realist, përkujdesje për vërtetësinë dhe natyrshmërinë si dhe një ngulmim i vazhdueshëm për rritjen e nivelit artistik të aktorëve dhe të muzikantëve.

60-vjetori i Estrades Profesioniste te Sarandes

Në këtë 60 vjetor është momenti të kujtojmë duke shprehur respektin dhe mirënjohjen për sakrificat e kontributin e tyre artistik të gjithë ata artistë që në vite janë ndarë nga jeta si: Thoma Milaj, Taqo Lepuri, Fehmi Qelepiri, Myfit Braja Jorgo Nano, Koçi Vasi, Kiço Kapedani, Mazar Tahiri, Illo Martiko, Polikseni Hajdhi, Tuli Bajrami, Thoma Xhupa, Illo Papadhima, Lefter Duka, Apostol Lula, Gastere Shkurti, Gëzim Meçani, Gani Doko, Adem Daci, Aristidh Gjiksana, Haki Spaho. Estrada  jonë sot nuk ekziston më.

E braktisur ashtu si shumë trupa të tjera. Kujton..flet.. dhe një lot të rrjedh nga sytë… Për dhimbjen që të shkakton kjo gjendje. “Na ishte një herë…por s’është më…estrada e bukur e Sarandës” Po sot ? A mund të ri ngrihet ,a mund ta shohim sërish trupën e estradës? Sigurisht, do të ishte një dëshirë , por sot për sot, me sa duket, qenka në kufijtë e të pa mundurës. Por fundja mbetet një kujtim i bukur dhe së bashku me atë kujtim ngjizet edhe një shpresë. Shpresa se ai teatër, mund të ri ngrihet një ditë.

Doemos me një profil strukturor e filozofi funksionimi të rinovuar. Por përherë me misionin e pa negociushëm të rrezatimit të artit të bukur, që fal pa kushte buzëqeshjen dhe dashurinë njerëzore. Është çështje kohe. Tregu për këtë art do të gjendet. Ai do vijë duke u zgjeruar edhe në një mënyrë edhe më bashkëkohore.  Vështirësitë ekonomike një ditë do të marrin fund. Publiku nuk do ti mungojë kurrë estradës. Njeriu qan shumë, por edhe qesh shumë. Sepse e qeshura është shëndet.

Është jeta, Është sfida ndaj të keqes.

Përgatiti: Vangjel Agora, aktor, regjisor (Naim Frashëri i Art)

Estrada Profesioniste e Sarandes / 60-vjetori i një Trupe, sot të munguar

Estrada Profesioniste e Sarandes / 60-vjetori i një Trupe, sot të munguar.

Website Saranda Web

Facebook Saranda Web

Instagram saranda.web

Youtube sarandaweb

Twitter Saranda Web

Tiktok saranda.web

Pinterest sarandaweb

Linktree sarandaweb

in sarandaweb

Please follow and like us:
fb-share-icon